Bashkëpunimi me demokratët për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë nuk e ka penguar opozitën që të akuzojë qeverinë se nuk po menaxhon si duhet financa e vendit. Ratifikimi i marrëveshjes së huasë prej 230 milion euro nga bankat e nivelit të dytë për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash ka risjell debatet në kuvend.

Arben Malaj: “Nuk mund të marrë shteti as nga Banka Botërore, as nga BERZH-i, as nga BE, as nga një institucion tjetër financiar. Këto institucione specifikisht në dallimin e tyre nga Banka Tregtare kërkojnë reforma të plota. Na lind e drejta edhe për shkak të kushteve që ka kjo kredi që të jemi dyshues që efiçensa e saj nuk do të jetë ajo që pritet në ekonominë shqiptare.”

Ermelinda Meksi: “Rezulton që vitin e kaluar ne kishim fonde edhe për rrugën dhe ato nuk i realizuam dhe i shtymë për vitin 2008, marrja e kësaj kredie çfarë ndikimi do të kishte në ofertën monetare dhe për rrjedhojë në inflacion, një praktikë e tillë e cila merr kredi edhe kur fonde ka të parealizuara.”

Ridvan Bode: “Ka një program të bërë nga Banka Botërore, që e përdorin të gjithë vendet e tjera sepse ne nuk marrim vetëm kreditë që kemi marrë, ne marrim në mënyrë të përditshme, në mënyrë të përmuajshme kredi nga tregu i brendshëm dhe këto nuk bëhen llogari me gishta është një softuer, i cili përllogarit dhe deklaron vet se kush është oferta më e mirë.”

Socialistët i janë rikthyer edhe një herë debatit për abuzimet me fondet e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, ndërsa ministrat Bode dhe Olldashi pa dashur të ndezin debatin janë mjaftuar me argumentet që kanë sjellë pro ratifikimit të marrëveshjes së huasë, e cila është miratuar vetëm me votat e mazhorancës./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka