Teksa afati ligjor ka përfunduar, Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit nuk ia doli të realizojë qëllimin e demokratëve, mbi të cilin u krijua: Të provonte abuzimin me votën e shqiptarëve. Nënkryetari dhe deputeti i PS, Toni Gogu në një intervistë për Klan News thotë se dështimi i punës së këtij komisioni erdhi si pasojë e papërgjegjshmërisë së deputetëve demokratë.

Toni Gogu: “Ju e keni parë që ne kemi qenë aty, sidomos në Komisionin Hetimor, pikërisht për të siguruar që ky proces të jetë tërësisht i garantuar. Nga PD dhe kryetari i saj nuk ka pasur më një angazhim që nga fillimi i Dhjetorit, është dukur si një braktisje e detyrës dhe komisionit. Deputetët e opozitës duhet të ishin më të përgjegjshëm ndaj angazhimit për qytetarët.”.

Edhe pse jashtë afateve, Toni Gogu shpreh gatishmërinë për të vijuar punën.

Toni Gogu: “Ne vazhdojmë të jemi të gatshëm dhe të hapur për të hetuar atë informacion që është aty”.

Por cila është arsyeja që PS do të hetojë zgjedhjet e 25 Prillit?

Toni Gogu: “PS nuk ka dyshime për zgjedhjet, ne kemi disa pikëpyetje për një strukturë të posacme që PD ka ngritur dhe për këto presim që të ketë hetim, informacioni është aty”.

Pikërisht këto qëllime të ndryshme, duket se nuk do të bashkojnë demokratët dhe socialistët në një rrugë të përbashkët. Përplasjet politike dhe formula vendimarrëse krijuan ngërcin që në mbledhjen e parë të këtij komisioni.  Afati i hetimeve ishte deri në 4 Janar, ndërsa në 12 Janar palët do duhej të dorëzonin raportin final.

Klan News