Holli i rezidencës mbretërore në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë u kthye të martën e 5 Marsit në një skenë dhune mes Princ Lekës dhe ish-bashkëshortes së tij Elia Zaharia.

Pamjet që shihni janë filmuar nga vetë Princ Leka teksa gjakrat mundohet t’i qetësojë një punonjës i administrës së oborrit mbretëror.

Në video dëgjohet teksa Zaharia e akuzon Princin se ka dhunuar të atin e saj.

Një gjë e tillë kundërshtohet nga Princi i cili nxiton për t’u futur në ashensor në mënyrë që të largohet nga banesa.

E gjithë ngarkesa e kësaj ngjarje të regjistruar në rezidencën mbretërore është shkarkuar në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet, aty ku Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë bërë kallëzim ndaj njëri-tjetrit për dhunë.

Princ Leka pretendon në kallëzim se ai është dhunuar fillimsht nga babai i ish-bashkëshortes Gjergj Zaharia dhe është goditur me një statujë druri, kjo që shihni në këtë foto, dhe më pas nga ish-gruaja.

Një fakt i tillë është mohuar nga ish-vjehrri i Princit dhe Elia Zaharia, të cilët pretenduan para hetuesve se e kundërta kishte ndodhur, pra ata ishin dhunuar.

Për të zgjidhur dilemat, policia ka urdhruar akt-ekspertim mjeko-ligjor për të parë nëse kanë shenja dhune dhe të çfarë kategorie janë.

Gjithashtu policia ka plotësuar kërkesë paditë për urdhër-mbrojtje të menjëhershëm për të dyja palët, teksa do të jetë gjykata e cila do të vendosë për mbetjen në fuqi të mbrojtjes dhe zgjatjen ose jo në kohë.

Për videon e nxjerrë, Oborri Mbretëror ka ngritur akuza ndaj policisë për publikim e saj, duke cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretët. Njëherësh kërkohet qe te ndalohet publikimi i saj. Por policia me anë të një reagimi mohoi që pamjet janë shpërndarë nga strukturat e saj dhe se materialet i kanë kaluar Prokurorisë.

Elia Zaharia dhe Princ Leka i dhanë fund pak muaj më parë martesës së tyre disavjeçare dhe ndodhen në proces divorci ku në datën 18 Mars, pritet të zhvillohet seanca e parë në Gjykatën Civile për zgjidhjen e saj me marrëveshje.

Tv Klan