Flukset e të huajve të shtrira gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë vendin kanë bërë që udhërrëfyesit turistik në Shqipëri të shtohen ndjeshëm.

Të dhënat e marra nga ministria e Turizmit tregojnë se aktualisht ka rreth 400 udhërrëfyes kombëtar të licencuar. Nga viti 2022 në 2023-in, licencimet e reja janë më shumë se dyfishuar.

Interesi është i lartë edhe për këtë vit, vetëm në muajt e parë janë licencuar 91 të tillë.

“Turistët e huaj nuk janë me mentalitetin e turistëve shqiptar, nga 7 ditë, ato 3-4 ditë i bëjnë ekskursione ditore ku shkojnë në destinacione të ndryshme”, tha Rrahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar.

Udhërrëfyesit turistik që shoqërojnë të huajt janë të përhapur pothuajse në të gjithë territorin, megjithatë mbizotërojnë ekskursionet në zonat historike.

“Më të shiturat janë Berati, Tirana dhe Kruja që kanë një program, kemi Komanin, kemi dhe Ohrin është mjaft i shitur”, tha Kasa.

Shumica e udhërrëfyesve në vend janë të gjuhës angleze, por viteve të fundit tregu ka nevojë edhe për ata në gjuhën polake, çeke, spanjolle apo gjermane.

Tv Klan