Pas një pesë mujori të suksesshëm të shifrave të turistëve, muaj Qershor, i cili pritej të sillte një rritje të ndjeshme të vizitoreve të huaj në Shqipëri, pati rritjen më të vogël me vetëm 23%.

Madje në zonat bregdetare, sipas kreut të Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa hotelet kanë reflektuar ulje në krahasim me vitin e shkuar.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Nga të gjitha hotelet duke filluar nga Velipoja e deri në Sarandë kam pasur ankesa nga subjektet hoteliere, pra që të gjithë kanë deklaruar që kemi pastur rreth 30% apo 20 % më pak se vitin e kaluar, pra Qershorin e vitit të kaluar. Një ndër arsyet kryesore ishin çmimet që aplikuan me një rritje e cila varionte deri në 30% apo në 40% te subjekte  të veçanta sidomos gjatë bregdetit dhe jugut të Shqipërisë nga Vlora në Sarandë sepse doli nëpër media nëpër rrjete sociale dhe u bë virale që atje është jashtëzakonisht shtrenjtë kështu që besoj se pati ndikimin e vet. Po kështu edhe mungesa e turistëve të Kosovës që zakonisht popullojnë bregdetin shqiptar.

Duke qenë se në mesin e muajit Korrik pati një reflektim për uljen e çmimeve abuzive , hendeku i Qershorit sipas Kasës pitet të përmirësohet gjatë muajit Gusht.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Nga mesi i Korrikut edhe këtej ne jemi ballafaquar me një kapacitet të plotë të pothuajse të gjitha hoteleve gjë që tregon se çmimet që aplikojnë rritje të pajustifikueshme dhe të paarsyeshme normalisht nuk janë të pranueshme për qytetarët,

Problemet kryesore që ndikojnë në turizëm veç çmimeve abuzive, janë mbetjet dhe infrastruktura.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Infrastruktura gjithmonë ka ato problemet e veta, gjeneron shumë trafik këtë periudhën e pikut siç ne e dimë edhe për shkak të ardhjes së emigrantëve, apo edhe të mjaft turistëve që vijnë nga rajoni me makinat e tyre. Pa dyshim që aksi i ri Thumanë-Kashar ka çliruar disi trafikun që ishte në drejtim të veriut.

Sipas Rrahman Kasës, Shqipëria ende nuk është konsoliduar si një destinacion turistik, ndaj duhet shumë kujdes.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Të gjithë operatorët të cilët e kanë përfshirë Shqipërinë në kalendarin e  tyre, ashtu siç e kanë përfshirë ashtu edhe e kancelojnë, sepse ka diçka që turizmi ashtu siç vjen ashtu edhe ikën. Akoma Shqipëria nuk po konsiderohen një destinacion i qëndrueshëm, pasi së paku do të duhet një dekadë me këtë nivel rritjeje me këtë jehonë që ka turizmi në Shqipëri që të bëhet një destinacion i qëndrueshëm.

Sa i përket kombësisë së turistëve që vinë në Shqipëri kryesojnë ata nga vendet europiane. Ndërkohë që sërish Gushti i këtij viti pritet të mbizotërohet nga italianët.

Klan News