Kreu i selisë rozë Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke thënë se të vërtetat e publikuara provojnë vërtetësinë e shqetësimeve të ngritura nga opozita.

Edi Rama: “Këto të vërteta të hidhura provoi jo vetëm vërtetësinë e shqetësimeve që opozita ka ngritur gjatë gjithë vitit të fundit, por dhe nevojën për ndryshimin  e qeverisë dhe të qeverisjes.”

Sipas Ramës mazhoranca qeverisëse është përgjegjëse për të gjitha kritikat ndaj vënies nën kontroll të sistemit të drejtësisë.

Edi Rama: “Presioni politik, korrupsioni, burimet e limituara dhe kërcënimet e pengojnë gjyqësorin të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efektive shkruan departamenti i shtetit. Qeveria e re do ta mbyllë njëherë e mirë këtë kapitull të zymtë në marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.”

Të njëjtin qëndrim kryesocialisti ndau edhe për atë që ai e cilësoi presion të qeverisë ndaj medias në vend.

Edi Rama: “Në raportin e vitit të ardhshëm të Departamentit të Shtetit nuk do të flitet më as për presione të qeverisë sonë mbi mediat apo për sulme verbale.”

Duke u ndalur tek ligji i lustracionit, Rama garantoi se opozita mbetet për një variant që dënon krimet e diktaturës konform standardeve evropiane. Sipas tij problem tjetër shqetësues në raportin e DASH-it vijon të mbetet dhe korrupsioni ashtu sikundër dhe çështja e kthimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist.

Për të gjitha këto premtoi kreu i socialistëve nevojitet në mënyrë urgjente një model i ri qeverisës.

Aldo Bumçi: “Sot Edi Rama i njohur si kryecensuruesi i medias së vendit, si njeriu që blen dhe shet gazetat, që censuron tërësisht jo vetëm qeverinë në mediat që kontrollon, por dhe opozitën që nuk e rreshton dot. Doli dhe lexoi me syzet e censuruesit raportin e DASH-it i cili konfirmon, se mediat ishin aktive dhe gjerësisht të pakufizuara në Shqipëri. Është ai që blen dhe shet pronarët e mediave për troje ndërtimi, është ai që shkarkon dhe emëron drejtuesit e lajmeve të mediave të kontrolluara prej tij. Lidhur me komentin që bën për ligjin e lustracionit edhe njëherë fakton se ai është mister dosja, se me qëndrimin e tij veçse mbron arkivin familjare të ekzekutimit dhe varjeve që mbajnë firmat e të afërmit të tij.”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro