“Kisha pasur qejf të luaja më shumë”, kështu është shprehur për mikrofonin e Tv Klan futbollisti i Kombëtares Armando Broja. Në një prononcim për gazetarin Glend Tafaj, Broja është shprehur se do të kishte dashur që të ishte në fushë dhe në ndeshjen me Kroacinë teksa ka shtuar se është trajneri ai që i merr vendimet, të cilat thotë se i respekton.

Armando Broja: Kemi bërë një turne të bukur. Të 3 ndeshjet e dinim se kishin me qenë shumë të vështira se e dinim që kishim skuadra në një nivel shumë të lartë në grup. E dinim u kishte me qenë e vështirë. Nuk ishin ndonjë ndeshje që na kanë shkatërruar dhe të gjithë çunat munden me mbajtur kokën lart dhe të jemi shumë krenarë për atë që kemi arritur.

Glend Tafaj: Natyrisht që çdo lojtar ka dëshirë që të luajë çdo ndeshje e madje të mos zëvendësohet fare. A do të kishe dashur më tepër minuta?

Armando Broja: Normal. Është një turne shumë i bukur, nuk vjen shpesh dhe normal si të gjithë lojtarët doja të luaja çdo minutë dhe e di se ka me qenë e vështirë. Kisha pasur qejf dhe unë të luaja më shumë. Unë në fund të fundit jam lojtari dhe në fund trajneri i merr vendimet dhe duhet të respektohet ajo që vendos trajneri dhe ata minuta sa më jep ai, duhet me dhënë maksimumin. Ndoshta te ndeshja e parë mund të luaja më mirë, kemi qenë shumë në mbrojtje dhe jo shumë përpara. Kam pasur qejf dhe në ndeshjen e dytë të hyja. Kisha qejf, por trajneri merr vendimet dhe duhet respektuar.

Glend Tafaj: Kur u afrove për të hyrë në fushë, e gjithë tifozeria brohoriti emrin tënd. Si u ndjeve ti në atë moment?

Armando Broja: U ndjeva shumë i kënaqur. Gjithmonë tifozët më kanë dhënë një gjë të bukur dhe kur kanë thirrur emrin tim, kam qenë shumë i kënaqur, kam qenë duke qeshur brenda, por kam qëndruar serioz në fytyrë. Kam shumë repsekt për shqiptarët që më kanë mbështur dhe më kanë dhënë shumë mbështetje, më kanë qëndruar mbrapa dhe i falenderoj të gjithë shqiptarët.

Glend Tafaj: Tani të pret Evertoni?

Armando Broja: Nuk e di. Tani sapo kemi mbaruar ndeshjen, nuk e di çfarë ndodh. Më duhet ndonjë pushim, sezoni nuk shkoi aq mirë, sezoni tjetër ka me shkuar shumë mirë.

Në ndeshjen Shqipëri-Spanjë, Armando Broja hyri në fushë në minutën e 58-të, duke zëvendësuar Rei Manajn./tvklan.al