Nga Dhërmiu ku dorëzoi 789 tituj pronësie, Kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje akuzave se qeveria kërkon të marrë pronat në Himarë. Akuza të tilla, ai i cilësoi “përrallë të shëmtuar e të ulët”.

“Të thuash që qeveria do të marrë pronat në Himarë do të thotë të tregosh një përrallë shumë të shëmtuar dhe shumë të ulët, po një përrallë ama, që s’ka lidhje me të vërtetën. Sepse e para edhe sikur ta ketë ndërmend nuk e bën dot këtë punë. E dyta, që ju jeni dëshmitarë vetë, ata të cilët kanë zhvilluar dhe zhvillojnë prona këtu, në këtë zonë, si në gjithë Shqipërinë, private, janë sipërmarrës që kanë kontrata me pronarët, jo me qeverinë. Dhe nga ana tjetër ju jeni po ashtu dëshmitarë që ato kontrata janë me përfitim gjithmonë e më të madh për pronarët. Sepse çmimi i tokës këtu në këtë zonë është rritur siç nuk ia priste mëndja askujt. Dhe rritja e çmimit të tokës nuk ka ardhur nga qielli, as deri, as malet. Bukuritë e zonës kanë qenë këtu edhe më parë. Është gjithë kjo infrastrukturë që është ndërtuar. Nuk ndërtohet për njërin a tjetrin, siç thonë disa”.

Pikërisht ndërtimi i kësaj infrastrukture, sipas kryeministri ka bërë që çmimi në të gjithë zonën të rritet. Sipas Ramës, sot të blesh prona në disa zona të Himarës është më shtrenjtë se në Korfuzin fqinj.

“Por ndërtimi i kësaj infrastrukture ka sjellë që çmimi në të gjithë zonën të shkojë duke u rritur deri në pikë n që pjesë të caktuara të kësaj zone e kanë sot çmimin më të lartë se në Korfuz. Sot të blesh një metër katror në këtë zonë është më shtrenjtë se në Korfuz. Dhe sigurisht që këto metra katrorë nuk i disponojnë të tjerë, i disponojnë banorët, pronarët që janë këtu, të cilët kanë të gjithë të drejtën e tyre t’i shesin, t’i mbajnë, të bëjnë çfarë të duan. Të thuash që është bërë një politikë për të shpronësuar himariotët dhe gjithë banorët autokton, në të në thonjëza funksion të oligarkëve, se oligarkë në Shqipëri nuk ka. Fjala oligark mes sipërmarrësve të mëdhenj në Shqipëri nuk lidhen bashkë. Është një fjalë e hedhur në erë dhe si të gjithë gënjeshtrat e mëdha që thithen e besohen më shpejt, edhe kjo ka zënë vendin e vet. Ta thuash këtë do të thotë të thuash një gënjeshtër shumë të madhe”./tvklan.al