Nico Williams është një nga lojtarët më të spikatur të këtij Europiani. Sulmuesi i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e treguara dhe është një nga më të lakuarit në merkato.

Pavarësisht se 21-vjeçari është nën kontratë me Athletic Bilbao, Barcelona ka nisur tratativat për ta afruar.

Pyetjet e shumta ndaj lojtarit për të ardhmen, nuk janë pritur mirë nga presidenti i Athletic Bilbao, Jon Uriarte.

Ky i fundit deklaroi se Federata Spanjolle nuk ka ditur të mbrojë lojtarin nga pyetjet e shumta për merkaton, ndërkohë që duhet të jetë i fokusuar vetëm te kombëtarja iberike.

“Nico Williams është një futbollist shumë i përkushtuar ndaj Athletic Bilbao-s. Megjithatë, në Europian, sulmuesi është bombarduar nga pyetjet për të ardhmen e tij. E kanë tepruar. Williams është në Europian me Spanjën dhe Federata nuk ka ditur si ta mbrojë”, deklaroi Uriarte.

Williams është kthyer në një pikë kyçe të Spanjës në këtë Europian, së bashku me Yamal në krahun tjetër. Duke parë shkëlqimin e dy sulmuesve, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, dëshiron t’i bëjë bashkë edhe te skuadra katalanase, por mesa duket nuk do e ketë të lehtë. /tvklan.al