Dani Olmo nuk shqetësohet nga Jude Bellingham, ndërsa Spanja vazhdon përgatitjet për finalen kundër Anglisë në Euro 2024. Sulmuesi spanjoll këmbëngul se ylli anglez nuk e tremb atë, por ai e pranoi se 21 vjeçari është shumë i rëndësishëm për “tre luanët’.

Në këtë kampionat europian, Olmo ka qenë një nga lojtarët kryesorë të “La Roha-s”, duke shënuar dy gola e duke dhënë tre asiste.

“Nuk kam frikë! Bellingham është thjesht një pikë reference tek Anglia, futbolli kalon nga këmbët e tij. Është në qendër të aksioneve gjithnjë. Është një futbollist për ta pasur kujdes, por jo që të të ngjallë frikë.”

Sulmuesi u ndal edhe te fuqia e “tre luanëve”, rivalëve të së dielës.

“Ata shënuan në minutën e fundit, kjo tregon se duhet të jesh 100% i fokusuar. Për të fituar këtë kompeticion duhet të përballesh me më të mirët. Është radha e Anglisë dhe le të bëhemi gati për të. Por kjo Spanjë ka yje. Dua të veçoj Lamal dhe Niko Uilliams. Pastaj kemi futbollistë që kanë fituar gjithçka si Naço dhe Rodri. Jemi shumë të qetë dhe objektivi ynë është që të vazhdojmë të fitojmë! Vetëm goli ka rëndësi!”

Olmo ka një klauzolë shitjeje prej 65 mln eurosh në kontratën e tij me klubin e Leipzigut që skadon më 20 korrik. Interes për të kanë shfaqur klubet e Liverpulit dhe të Mançeter Sitit. Por lojtari pëlqehet edhe nga Barcelona dhe Bajern Mynihu.

Lojtari 26 vjeçar u bë pjesë e gjermanëve që nga viti 2020, ku u ble nga Dinamo Zagrebi dhe me gjermanët ka shënuar 29 gola në 148 takime.

Klan News