E djathta ekstreme shënoi fitore të madhe në Gjermani, Francë dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së të dielën. Këte e treguan sondazhet e opinionit, qe duke i bashkuar me rezultatet e Holandës shfaqin shenjat e para se në Parlamentin Europian po ndodh një ndryshim i pritshëm djathtas.

Alternativa për Gjermaninë, parti e ekstremit të djathtë, zuri vendin e dytë pas konservatorëve të opozitës me 16.5% të votave, nga 11% në vitin 2019. Të tre partitë në koalicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz pësuan humbje, sipas sondazheve. Socialdemokratët e Scholz pritet të fitojnë 14% të votave.

Tejkalon çdo parashikim e djathta ekstreme në Francë. Sondazhet treguan se partia “Tubimi Kombëtar” e udhëhequr nga Marine Le Pen, doli në krye me më shumë se 30% të votave. Asnjëherë më parë kjo parti nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota. Partia Rilindja e presidentit Macron, doli e dyta me 15.2%. Socialistët, të tretët me 14%.

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Macron, i cili njoftoi shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja më 30 Qershor dhe 7 Korrik. Ndërkohë, në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë është fituese e mundshme e votimit, sipas një sondazhi të kryer gjatë javës së kaluar.

Në Holandë, ku u votua të enjten, sondazhet treguan se partia anti-emigracion e nacionalistit Geert Ëilders do të fitojë shtatë nga 29 vendet holandeze në Parlamentin e BE-së. Në Greqi, partia e kryeministrit Micotakis, kryeson me diferencë të madhe.

Nea Demokratia pritet të marrë rreth 27.7%, ndërsa partia e dytë që është Siriza vetëm 14% të votave. Në zonën fituese te listës se nea demokracia eshte edhe Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, sot në burg për korrupsion në zgjedhje.

Pavarësisht rritjes që ka pësuar ekstremi i djathtë në shumicën e vendeve të BE-së, sipas projeksionit të parë të publikuar në Bruksel, Partia Popullore Europiane do të vazhdojë të jetë grupimi kryesor në parlamentin europian me 181 vende, të dytët renditen socialistët me 135 mandate dhe në vend të tretë do jenë liberalët 82. Së bashku ata do të kishin 398 vende nga 720 në Eurodhomën e re.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen festoi rezultatet e arritura pas publikimit të exit-polleve. Ajo qëndron tani një hap larg mandatit të dytë si presidente e Komisionit Europian, institucionit ekzekutiv të BE-së.

Tv Klan