I fshehur mes lagunës dhe pyjeve të dendura, plazhi i Fllakës në Durrës është një ndër destinacionet e virgjëra dhe më i veçanti në bregdetin e Adriatikut.

“Vetëm 11 kilometra nga Durrësi, plazhi i Fllakës po kthehet në një destinacion turistik mjaft të preferuar, ku mund të pushosh në qetësi, në një plazh me rërë dhe ujë të pastër.”

Një aventurë unike, ku për të mbërritur në këtë plazh duhet të kalosh nëpër rrugë të ngushta e pyeje plot gjelbërim, që të japin ndjesinë e një aventurë unike, duke krijuar një lidhje të fortë me natyrën.

E me të mbërritur në këtë mrekulli, përballesh me hapësirat e mëdha të rërës dhe bukuritë e lagunës. Gjithçka në Fllakë është e paprekur nga dora e njeriut.

Këtu nuk ka ndërtime dhe për të mbërritur në këtë bregdet mungon edhe infrastruktura, por këtu mund të relaksohesh dhe të shijosh bukuritë e natyrës në formën e saj më të pastër. Për të gjithë ata që duan të qëndrojnë disa ditë e të shijojnë këtë mrekulli të natyrës, kampingu është zgjidhja ideale.

“Parapëlqejmë gjërat dhe vendet e tilla, të cilat nuk kanë ndërtime, por që kanë vetëm ujë, rërë dhe det.”

Krahas vendasve, ata që më së shumti ekspolorojnë këtë plazh janë pushuesit e huaj, të cilët tërhieqn jo vetëm nga bregdeti, por edhe bukuritë e zonës. Besnikët e këtij plazhi vijnë padyshim edhe për qetësinë që ky plazh të ofron.

“Jam nga Gjermania, është hera e parë që vij në Shqipëri dhe këtë vend ma sugjeroi një miku im i ngushtë që është nga Shqipëria, jam dashuruar me këtë plazh.”

Vizitorët kanë mundësi që ta eksplorojnë natyrën përrreth edhe duke kalëruar, një përvojë që të lidh ngushtë me natyrën dhe të jep një ndjesi lirie dhe paqeje.

“Deti shumë i pastër, pa zhurma dhe pa muzikë të lartë.”

Plazhi i Fllakës është një thesar i vërtetë për ata që kërkojnë një arratisje nga zhurma dhe kaosi i përditshëm. Është vendi ku mund të lidhesh me natyrën, të shijosh momentet e qeta dhe të krijosh kujtime të paharrueshme edhe atëherë kur dielli zhytet në det.

Tv Klan