Gjermania, organizatore e këtij europiani, u paraqit shumë mirë në ndeshjet në grupin A duke fituar lehtësisht me Skocinë dhe Hungarinë para se të barazonte ndeshjen e fundit në grup me Zvicrën. Me lojtarët e rinj si Musiala dhe Wirtz bashkë me lojtarët me përvojë si Kroos, Gundogan, Neuer, gjermanët shihen si favoritë në ndeshjen me eliminim direkt të fazës së 16-esh përballë Danimarkës sonte në mbrëmje.

Danimarka megjithatë do të tentojë shanset e saj për të vijuar rrugëtimin në europian. Vikingët e kanë dëshmuar veten si një ekip të vështirë për t’u mposhtur me tre barazime në tre ndeshjet e saj në Grupin C. Christian Eriksen ka qenë një siguri, ndërsa Jonas Wind dhe Rasmus Højlund janë në gjendje të shkaktojnë probleme për çdo mbrojtje. Këto dy skuadra kanë barazuar tre nga katër ndeshjet e fundit që kanë luajtur, gjë që mund të jetë një tregues të një përballjeje të vështirë.

Julian Nagelsmann, trajneri i Gjermanisë: “Danimarka është një ekip shumë i organizuar. Ka faza ku ata janë shumë të tërhequr në mbrojtje, por më pas bëjnë sulme të shkëlqyera me një prekje. Ata kanë shumë lojtarë me përvojë në skuadër dhe një strukturë të qartë. Është një kundërshtar i fortë, sigurisht që stadiumi i Dortmundit është zakonisht shumë i zhurmshëm dhe unë e kam përjetuar shumë herë si trajner kundërshtar, shpresoj që të kemi një zhurmë të ngjashme nga tribuna.

Kasper Hjulmand, trajneri i Danimarkës: Në fillim e konsideroja Gjermaninë një nga favoritët, dhe është shumë keq që ata do të luajnë nesër me ne. Ata kanë cilësi dhe talent dhe u shprehën shumë mirë në grup. Por ne gjithashtu kemi cilësi dhe talent. Ata do të duhet të jenë shumë, shumë të mirë për të na mundur. Ne e dimë se tifozët që udhëtojnë në Dortmund do të bëjnë çmos për të na frymëzuar.

Ekipet kanë luajtur 28 ndeshje mes tyre. Gjermania ka fituar 15 ndeshje, Danimarka ka fituar 8  dhe 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Gjatë këtyre 28 ndeshjeve gjermanët kanë shënuar 55 gola dhe danezët 28 gola.