Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, kapiteni i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti rrëfeu përjetimin e tij për ndeshjen kundër Italisë, kombëtare që nuk mund të nënvlerësohet.

“Pas 2021 Italia ka pasur ulje ngritje. Kjo nuk do të thotë që duhet ta nënvlerësojmë, por ta respektojmë, Italia është gjithnjë Italia”, tha ai.

Mbrojtësi ka vlerësuar edhe shokët e skuadrës në përfaqësuesen shqiptare.

“Asllani është një djalë i ri që i ka të gjithë mundësitë dhe kohën për të shkuar lart. Nëse Sylvinho do ta lejojë të jetë titullar, përgjegjësia do ta ndihmojë të japë më të mirën. Ramadani në fushë jep gjithçka, ai mund të luajë edhe në nivele më të larta. Bajrami ka disa role. Në Kombëtare ka luajtur edhe si sulmues i majtë apo i djathtë, ka një avantazh, por unë mendoj se roli i tij perfekt është pas sulmuesve”, tha ai.

Gjimshiti premton se morali tek kuqezinjtë është i lartë.

“Bëmë diçka të madhe, besuam dhe besoj se është motivimi më i mirë për të bërë gjëra të mëdha edhe tani”, tha ai.

Ndeshja kundër Italisë do të luhet më 15 Qershor në Dortmund në orën 21:00 dhe do të transmetohet në Tv Klan.

Tv Klan