Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi la sot të lirë ish-presidentin serb Milan Milutinoviç dhe dënoi me 15 deri në 23 vjet burg 5 ish-zyrtarë të lartë të regjimit të atëhershëm serb.

Mbi ta rëndonte akuza për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe dëbime të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Vendimi i gjykatës është pritur me zhgënjim dhe zemërim në Kosovë.

Këtu jemi në Krushën e Vogël, në mars të vitit 1999 një ditë pas fushatës së ajrore të NATO-s, serbët vranë dhe masakruan 116 burra. Familja Shehu humbi 39 anëtar të saj, përfshirë edhe djem të vegjël.

Ajshe Shehu ka humbur bashkëshortin dhe 4 djem nga dora serbe. Kanë kaluar 10 vjet dhe Ajshja ende nuk ka një varr mbi të cilin të çajë.

Ajshe Shehu: “Unë po mendoj kurrgjë hiç për këtë, send s’po bëj edhe të Krushës së Vogël më i gjet ku janë e ku s’janë më i nxjerr edhe me i dënu për jetë. Mua nuk po më kënaqet zemra hiç, hiç s’ma kanë largu hiç, vetëm më kanë rëndu, ja shkavi doli i pafajshëm.”

66-vjeçari Milutinoviç, një aleat i ngushtë dhe pasardhës i ish-presidentit Sllobodan Millosheviç doli para gjykatës në korrik të vitit 2006 dhe u akuzua për dëbimin e 800 mijë civilëve nga Kosova dhe vrasjen e qindra të tjerëve.

Vendimi për lirimin e tij konsiderohet një hap mbrapa në drejtësinë për krimet e luftës në ish-Jugosllavi./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle