Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Asnjë nga dëshmitarët nga Greqia e Spanja që do të jepnin deklarime, në favor të të pandehurve të dosjes “Kokaina”, nuk u paraqit në gjykatë. Data 3 Mars qe afati i fundit që vendosi kryetari i trupit gjykues Gjin Gjoni, për marrjen e dëshmisë së disa personave nga Greqia.

Në adresë të kryetarit Gjoni, ka mbërritur një letër e avokatit grek të Durdës, Akimakis, i cili njofton me anë të saj, se shtetasit grek të njoftuar për seancën, nuk mund të vijnë në Shqipëri, por avokatët kërkuan edhe disa ditë kohë për të pritur dëshmitarët, ndërsa kërkesa e tyre u refuzua nga togat e zeza. Në këtë mënyrë, mbrojtja e të pandehurve të dosjes Kokaina ka disa prova më pak për të vërtetuar pafajësinë.

Në një nga seancat e ardhshme, pritet të paraqitet materiali i përkthyer i dëshmitarit kolumbian Triana Mateus, dhënë në Amerikë. Gjatë seancës u paraqitën nga trupi gjykues disa foto të të pandehurve Koçiu, Durda, Gjonaj, Nanaj etj, foto të cilat i janë paraqitur edhe dëshmitares italiane Lidia Cestari, gjatë seancës së pyetjes në Itali.

Në njërën prej tyre, Frederik Durda ndodhet me Blerta Papuçiun edhe kjo e akuzuar si bashkëpunëtore e organizatës kriminale dhe aktualisht e shpallur në kërkim nga policia./tvklan.al