Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Punëtorët e ndërmarrjes së tullave në Vorë kanë hyrë në ditën e 5 të grevës së urisë. Ata ka përsëritur edhe njëherë, se nuk do ta ndërpresin grevën, përderisa kërkesat e tyre për shlyerjen e të gjitha detyrimeve që u ka shoqëria të plotësohen. Pavarësisht se kushtet shëndetësore për disa janë përkeqësuar. 

Grevisti 1:- “Ne momentalisht do të vazhdojmë grevën, sepse i kemi bërë thirrje shtetit, në të gjitha instancat, qoftë edhe kryeministrit, qoftë edhe presidentit dhe të gjithë instancave të tjera dhe deri tani nuk na kanë dhënë asnjë rrugëzgjidhje”.

Grevisti 2:- “Deri sa të vdesim këtu do të rrimë, në qoftë se nuk ka zgjidhje nga shteti, ne po i lutemi shtetit, po i lutemi presidentit, në qoftë se ka mundësi me na i zgjidh aq shpejt të drejtën tonë mirë është dhe ne dalim, në qoftë se s’duan të na zgjidhin ata, ne vdesim këtu”.

Për të dhënë ndihmën e parë mjekësore, për grevistët kanë mbërritur edhe mjekë të shëndetit publik të Vorës, të cilët thonë se kushtet në të cilat zhvillohet kjo grevë janë të papërshtatshme. Arsye për të cilën ajo duhet të ndërpritet. Mbështetje për grevistët kanë dhënë edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. Nënkryetari i Bashkisë së Vorës, Gëzim Gjoni shprehet.

Gëzim Gjoni:- “Në radhë të parë njëherë, Ministria e Financave, ose strukturat e tjera të specializuara të shtetit, duhet të përcaktojnë, nëse kjo fabrikë ka falimentuar apo jo, sepse mundet që kjo të ketë resurse të tjera, që t’i mbijetojë ekonomisë së tregut, por përderisa nuk paguhet punëtori dmth, ke falimentuar”.

Ndërsa për drejtorin e marrëdhënieve të punës në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale Gjergj Muçaj, zgjidhja mbetet gjykata.

Gjergj Muçaj:- “Në kohën e punës dhe djersën e punës, për të cilën ai nuk ju ka shpërblyer është gjykata që vendos, deri në falimentim dhe sipas ligjeve shqiptare dhe konventave ndërkombëtare, pagat kanë përparësi ndaj gjithë detyrimeve të tjera”./tvklan.al