Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ende asnjë zgjidhje për punëtorët e fabrikës së tullave në Vorë, të cilët ndodhen në ditën e 12 të grevës së urisë. Megjithëse janë realizuar takime të shumta si nga përfaqësues të pushtetit vendor të Vorës, ashtu edhe nga përfaqësues të institucioneve të larta qeveritare, plotësimi i kërkesave të tyre nuk është bërë i mundur.

Gjendja shëndetësore sa vjen dhe rëndohet, duke rritur rrezikun e jetës së tyre. E vetmja shpresë për ta, duket një takim i mundshëm me kryeministrin Fatos Nano, pasi asgjëkundi punëtorët nuk kanë më besim.

Grevisti:- “Gjendja jonë po vjen e po rëndohet çdo ditë. Edhe një shokë e kemi çuar në spital në gjendje të rëndë dhe po presim sa të vijë ambulanca dhe nja dy të tjerë do të ikin direkt për në spital. Këtu kërkojmë të vijë kryeministri një orë e më parë. Vetëm ai ka ngelur tani se s’kemi besim kurrkund më”.

Ndërsa punëtorët grevistë që ndodhen jashtë grevës së urisë, ende nuk kanë marrë një vendim nëse do të hyjnë ose jo në grevë urie. Ata shprehen se kanë vendosur disa ditë afat, për pronarin e fabrikës së tullave në Vorë, i cili u detyrohet 340 punëtorëve pagesën e sigurimeve shoqërore për 7 vjet, lejet e zakonshme, si dhe për një pjesë të tyre pagën e dy muajve Dhjetor dhe Janar./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja