Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Megjithëse gjendja e rënduar shëndetësore nuk ua lejon vazhdimin e grevës, ata nuk zmbrapsen. Për të hyrë në grevë urie janë bërë gati edhe 20 punonjës të tjerë të fabrikës së tullave në Vorë. Dyfishimi i numrit të grevistëve pas 10 ditësh grevë tregon edhe njëherë këmbënguljen në plotësimin e kërkesave të tyre jetike.

Grevistët kanë hequr çdo shpesë se pronari i firmës do të arrijë të paguaj pagat e tyre dhe siguracionet pa ndërhyrjen e shtetit, ata kërkojnë edhe njëherë interesimin e autoriteteve shtetërore, deri edhe të kryeministrit.

Grevisti 1:- “I bëjmë thirrje urgjentisht Fatos Nanos, 340 punëtorët e fabrikës Fabiona në Vorë, urgjentisht të vijnë tek grevistët e Vorës se po vdesin, që s’ka marrë asnjë lloj mase qeveria. Boll me gënjeshtra boshe, bosh këtu, bosh barku, bosh fëmija”.

Grevisti 2:- “Isha në gjendje kome, me tension të lartë, vajta në spitalin e Vorës, aty më thanë, nuk je në gjendje dhe detyrimisht duhet të largohesh nga greva”.

Mbështetje grevistët kanë gjetur nga Sindikata e Pavarur. Ky organizëm i është drejtuar sot me një peticion presidentit Moisiu, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe Ministrisë së Punës, për ndërhyrje të menjëhershme. Në emër të presidentit të sindikatave Gëzim Kalaja, për 12 grevistët e urisë janë dhuruar nga 10 mijë lekë të reja. Askush prej grevistëve nuk beson se fabrika e tullave del me humbje.

Gazetare – Holta Zhiti