Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është përkeqësuar gjendja shëndetësore e punonjësve të fabrikës së tullave në Vorë, të cilët që prej 4 ditësh ndodhen në grevë urie. Në kushte tepër të këqija që nga dita e parë që ka nisur protesta ekstreme, e deri më sot, askush nga institucionet e larta qeveritare, apo dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka kontaktuar me ta.

Punëtorët thonë, se nuk do të tërhiqen nga greva e urisë, pa u realizuar më parë kërkesat legjitime. Një pagë mujore prej 12 mijë lekësh, me të cilën ushqejnë familjet, që shoqëria nuk ua ka shlyer. Në rast të kundërt punëtorët thonë, se do të vetëflijohen. Kërcënimi shkon deri në ekstrem, ku brenda barakës së shkatërruar, me vete mbajnë edhe një qese me helm.

Grevisti 1:- “Ne kërkojmë ndihmë nga qeveria, se ndihmë tjetër nuk kemi, vetëm me ardhë Zoti me na dhënë ndihmë ne. I kërkojmë qeverisë të vijë urgjentisht të shohë gjendjen tonë ku jemi”.

Grevisti 2:- “Deri tani s’ka ardhur asnjë, nga Ministria e Shëndetësisë s’ka ardhur asnjëri. Gjendja është rënduar shumë, disa shukë i kemi në gjendje të keqe. Asnjë sinjal, as nga qeveria, askush s’ka ardhur. Ne do të vazhdojmë deri sa të zgjidhim problemet tona”.

Grevisti 3:- “Me gjithë se jemi në kushte të rënda, grevën do ta çojë deri në fund, derisa të vdesim këtu të gjithë”.

Por në mbështetje të grevistëve jashtë barakës, ndodhen edhe punonjësit e tjerë jashtë fabrikës, të cilët thonë, se nuk kanë hyrë në grevë pasi nuk kishin vend. Njëri prej anëtarëve të komisionit të grevës Kujtim Mesiti pohon.

Kujtim Mesiti:- “Ne do t’i mbështesim ata që janë në grevë, do rrinë në grevë deri në vdekje. Në do jemi jashtë në mbrojtjen e tyre në raste sëmundje, për arsye se Ministria e Shëndetësisë akoma s’është paraqitur akoma këtu. Është njoftuar deputeti i zonës Zydi Pepa, është njoftuar dhe kryeministri dhe Presidenti i Republikës dhe nuk kërkojmë asgjë më tepër, vetëm të drejtat, që kemi 7 vjet që nuk kemi marrë sigurimet shëndetësore, rrogat pa marrë dy muaj, lejet e zakonshme, jemi tamam në punë të zezë”.

Në fabrikën e tullave Fabiona në Vorë, që prej katër ditësh protestojnë rreth 340 punëtorë, 12 prej të cilëve janë në grevë urie./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja