Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pritet të ketë vetëm një qëndrim për zgjedhjen e presidentit të republikës. Me shumicë të thjeshtë parlamentare, varianti i parë i propozuar dhe mbështetur nga forumet drejtuese të kësaj force politike, logjikën drejt unifikimit të qëndrimeve që ndaheshin mes shumicës së thjeshtë dhe presidentit nga populli, e paralajmëroi dhe kryetari i Partisë Demokratike Berisha gjatë fjalës së tij të mbledhjes.

Berisha kujtoi rëndësinë e bashkëpunimin me Partinë Socialiste, që në këtë pikë konverton me variantin president me shumicë të thjeshtë.

Sali Berisha: “Reforma që ndërmarrim është historike, sepse i jep përgjigjen përfundimtare parlamentarizmit, duke qëndruar besnik i palëkundur i aleatëve të mi, sërish dua të theksojë se qytetarët shqiptarë, Shqipëria, komuniteti ndërkombëtar pret më të drejtë dhe cilëson si konsensus më të gjerë, konsensusin midis 2 forcave të mëdha politike.”

Por mbledhja nuk ka kaluar pa debate, Besnik Mustafaj një ndër kundërshtarët e palëkundur të paketës për ndryshime kushtetuese dhe mbështetës i propozimit për president nga populli konfirmon këtë fakt, por duke i shtuar detajin se numri i deputetëve demokrat pro kësaj fryme është reduktuar ndjeshëm.

Besnik Mustafaj: “Unë jam në minorancë, por jam i palëkundur në bindjet e mia, se reforma që po kryhet, nuk përfaqëson interesat elektorale të Partisë Demokratike, është një reformë që nuk është bërë me transparencën e nevojshme.”

Debatet për kryetarin e grupit Patozi janë pjesë e mënyrës se si funksionon Partia Demokratike, pasi bëri të ditur qëndrimin e grupit ai la të kuptohej se deri përpara votimit do të ketë përpjekje për unifikim të plotë të qëndrimeve.

Astrit Patozi: “Ne do të shkojmë me vendimin e kryesisë të Partisë Demokratike dhe me vendimin e Komisionit të Ligjeve.”

Gazetarja: A i keni të 94 votat?

Astrit Patozi: “Unë besoj që në Kuvendin e Shqipërisë janë më shumë se 94 vota që kërkojnë lamtumirën e Dushkut.”

Gazetarja: Nesër votimi nuk do të jetë në unison nga ana e Partisë Demokratike?

Astrit Patozi: “Unë besoj që vendimi do të jetë në union, por ju duroni deri nesër.”

Por zhvillimet në seancën e ditës së hënë do të bëjnë të qartë fatin e paketës për ndryshime kushtetuese, e cila së paku kërkon një mbështetje prej 94 votash të deputetëve të Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi