Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e termocentralit të ri të Vlorës, shënon si të interesuar për pjesëmarrje, 64 kompani të huaja. Tenderi pritet të zhvillohet në fund të vitit dhe parashikon që vetëm një kompani të menaxhojë të gjitha fazat, që nga inxhinierimi deri tek ndërtimi i termocentralit.

Andis Harasani: “Për momentin janë rreth 64 firma, nga të gjitha vendet e botës, kryesisht nga Komuniteti Europian, por ka dhe firma amerikane, koreane, kineze, të cilat janë të interesuar për të marrë pjesë në këtë tender. Besoj që procesi po shkon sipas parashikimeve dhe shpresojmë që në Nëntor-Dhjetor të nxjerrim fituesin e tenderit. Bëhet fjalë për një kontratë, që do të jetë po e njëjta kompani e cila do të bëjë edhe inxhinierimin dhe projektimin dhe ndërtimin, duke shkurtuar periudhën e ndërtimit të TEC-it dhe po ashtu duke eliminuar probleme”.

KESH-i mbylli negociatat me donatorët, duke siguruar dhe investimin e Bankës Europiane të Investimeve, prej 40 milion eurosh, ndërkohë që projekti i ndërtimit të termocentralit të ri në Vlorë, kushton në total mbi 120 milion dollarë. Termocentrali i Vlorës do të menaxhohet si kompani e vetme, por do të jetë në pronësi të KESH-it, gjë që pritet t’i rrisë vlerën, përpara privatizimit./tvklan.al