Një ditë pasi kryeministri Berisha kërkoi hetim ndërkombëtar mbi akuzat e opozitës për abuzime me fondet publike duke favorizuar biznesmenin Damir Fazliç, kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, sqaron anën politike dhe atë teknike të kësaj nisme të kryeministrit.

Astrit Patozi: “Politikisht në sfidojmë të gjithë pretendimet absurde të minorancës  gjatë këtyre ditëve dhe për ketë kërkojmë ekspertizë ndërkombëtare në mënyrë që rezultati të jetë sa më transparent. Nga ana teknike grupi i ekspertëve ndërkombëtar, i hetuesve ndërkombëtar do t’i bashkëngjitet hetuesve shqiptarë dhe do të punojnë bashkërisht për të arritur në një rezultat.”

Sipas Patozit opozita me reagimin e shfaqur ndaj nismës së kryeministrit tregon se i druhet hetimit ndërkombëtar, pasi është koshiente për rezultatet e këtij hetimi.

Astrit Patozi: “Një nga arsyet është fakti që përfshirja e një eksperti amerikan në ekspertizën e vrasjes së biznesmenit Trebicka dhe përfundimet profesionale dhe të shpejta që ajo solli, me sa duket i kujtojnë Edi Ramës, që e njëjta gjë do të ndodhi edhe për çështjen që ai pretendon se është një aferë korruptive çështja Fazlliç”.

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit lideri i opozitës deklaroi një ditë më parë, se hetimi ndërkombëtar është një manovër e Berishës për të penguar hetimin kushtetues për çështjen Fazlliç, që është e drejta ligjore e prokurorisë Shqiptare.

Mimi Kodheli: “I themi zotit Patozi të ruajë një fije respekti për 26 viktimat e pafajshme të zonës së tij elektorale dhe zërin ta ngrejë jo për të mbuluar këtë  njollë të turpshme të zonës së tij me insinuata të paqena ndaj kryetarit të opozitës, por zërin ta ngrejë ndaj padronit të tij, i cili duhet të lejojë drejtësinë, prokurorinë ta hetojë lirisht. Të dalë e drejta e fijeve që lidhin Gërdecin, trafikun e armëve, këtë sekser serb dhe vetë kryeministrin.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka