“Histori më zhurmues”, është emisioni më i ri që starton sonte në Televizionin Kombëtar Klan. Një produksion televiziv i drejtuar nga Pandi Laço dhe regji të Bledi Laços. Emisioni udhëton në Shqipërinë e viteve ’45 deri në atë të viteve ’90 mbështetur në kronika dhe personazhet e këtyre viteve.

Pandi Laço: “Sot është premiera, është një format krejtësisht origjinal, një format që nuk e kanë parë as teleshikuesit tanë nëpër televizionet e huaja. Është një program i cili merr përsipër të bëjë retrospektivën, historinë e Shqipërisë përgjatë 45 vjetëve nga ’45 deri në ’90. Programi bëhet në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetërorë të filmave, duke shfrytëzuar kinoditarët ato kronikat që transmetonin dikur përpara filmave artistik kinozhurnalet e kohës, lajmet e asaj kohe, njëkohësisht sjellë dhe atmosferën e përgjithshme duke filluar nga atmosfera politike, ekonomike, artistike, kinemanë e atyre viteve, muzikën e atyre viteve”.

Bledi Laço: “Pjesë e këtij emisioni është edhe analiza e gjithë kësaj etape historike të cilën ne nuk marrim përsipër që ta bëjmë në mënyrë të drejtë për drejt, por vetëm t’ia servirim publikut nëpërmjet personazheve real, ngjarjeve të vërteta që kanë ndodhur në ato vite nga të gjitha fushat që nga politika, ekonomia, jeta sociale, edhe të gjithë komponentët e tjerë që si të thuash mbushnin jetën e shqiptarit në atë kohë”.

Zhurmuesi ka qenë një censurë e diktaturës për të mos ndjekur televizionet e huaja, por edhe materialet filmike para se t’i shfaqeshin publikut. Kjo është arsyeja që emisioni mban emrin “Histori më zhurmues”, producentët e të cilit do të përpiqen t’ia heqin zhurmuesin.

Pandi Laço: “Zhurmuesi është një shumë domethënës për shqiptarët, ka qenë një pajisje e cila pengonte të gjithë publikun, gjithë teleshikuesit që ne të shikonim kanalet e huaja televizive. Metafora do të zbulohet nëpërmjet programit tonë, historia vjen në këtë program me zhurmuesin që ka qenë në atë kohë ose pa zhurmuesin që ne do mundohemi tija heqim në këtë program”.

Bledi Laço: “Unë besoj se shumë moshatarëve të mi, po ashtu edhe prindërve tanë një titull i tillë duke u bazuar në fjalën zhurmues i ngjall kërshëri edhe kujtimet të veçanta. Brezit ri nuk i thotë asgjë sepse absolutisht nuk e ka ditur se çdo të thotë zhurmues. Ne shpresoj që me kalimin e kohës, me kalimin e misioneve ta zbërthejmë këtë titull”.

Skenografia është e Joni Krajës, ndërkohë që emisioni do të ketë edhe një trup muzikore.

Genti Myftaraj: “Në bazë të këtij formati ne jem i përpjekur të sjellim momente më kulmore të një viti, hitet më të njohura si ato shqiptare, si ato të huajua dhe sigurisht që jemi përpjekur të sjellim dhe artistë të ndryshëm”.

Programi televiziv “Histori më zhurmues”,do të përfshijë ngjarje, fakte dhe personazhe që lidhen me momente ë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë për rreth gjysmë shekulli nga të gjitha fushat politika, kultura, muzika apo kinematografia duke i sjell sot pa zhurmues./tvklan.al

Operator: Petrit Xhaferri

Montazh: Vilma Halilaj