Kryetari i LSI Ilir Meta shfrytëzoi një takim me gratë e qytetit të Durrësit, për të adresuar kritikat e ashpra ndaj dyshes Rama-Berisha dhe për të bërë publike bashkimin me LSI-në të disa prej emrave që në të shkuarën kanë qenë pjesë e strukturave vendore të PS në qytetin bregdetar.

Lefter Koka, ish-kryebashkiak i Durrësit në vitet 2003-2007, Genc Alizoti kryetar i grupit socialist të këshilltarëve bashkiak dhe Astrit Kote, ish-sekretar i PS, janë 3 nga figurat që tashmë mund të kandidojnë nën siglën e LSI-së.

Ilir Meta: “Për cilindo i cili mund të më pyes dhe mua se si shpjegohet që Lefter Koka po bashkohet me LSI-në, por ku bashkohen këta për të prishur kushtetutën që bëri populli shqiptar. Gjithmonë kështu me qindra e më mijëra socialistë e progresistë në gjithë Shqipërinë.”

Lefter Koka: “Kam kënaqësinë sot të përshëndes konferencën e gruas të LSI-së, të kësaj force politike e cila luan sot rolin kryesor në opozitën shqiptare. Ndaj ky është dhe motivi, i cili më bëri ti bashkangjitem kësaj force.”

Meta u shpreh se shkak i kësaj prurje të re në LSI është bashkëpunimi mes PS dhe PD, për çështje që sipas tij kanë qenë në dëm të interesave publike.

Ilir Meta: “Po si mund të votohet kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili bën sikur mbjell pemë. Se të gjithë e kanë kuptuar se kur ai mbjell një pemë në televizor, në të vërtetë mbillen 10 pallate me beton duke i marrë frymën qytetarëve të Tiranës. Ata i bashkuan votat në këshillin bashkiak të Tiranës natën e Fier Bajramit, në kundërshtim me të gjithë procedurat e këshillit, por i bashkuan për të ndarë parkingjet barazim 1-1.”

Takimi me gratë e qytetit bregdetar i paraprijnë konferencës përmbyllëse të kësaj partie në Durrës që do të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të diskutohen emrat potencial për listën e kandidatëve të LSI-së në qarkun e Durrësit./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi