Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u paraqit këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi për rreth 3 orë. Në një lidhje direkte me edicionin e Tv Klan, gazetarja Bleona Metushi përcolli më tepër detaje.

Pse u thirr Ilir Meta në SPAK?

-Ish-presidenti dhe aktualisht kryetari i Partisë së Lirisë u paraqit pranë ambienteve të SPAK rreth orës 10:30 dhe sipas burimeve është paraqitur në bazë të një ftese të bërë nga prokurori Sotir Kllapi, i cili është duke hetuar një procedim në bazë të dy kallëzimeve për një pagesë të bërë për një lobim në SHBA nga LSI. Disa pagesa të tjera të bëra sipas kallëzimit, për ndërhyrje kirurgjikale/estetike jashtë vendit të Monika Kryemadhit, si dhe Ilir Metës. Si dhe për një verifikim pasuror, që në bazë të këtij procedimi është duke u kryer ndaj Ilir Metës, por edhe ndaj Monika Kryemadhit. Pritet që Ilir Meta t’i kthejë përgjigje të gjitha pyetjeve që kanë hetuesit e BKH në bazë të verifikimeve që ata kanë kryer deri më sot, në bazë të këtij procedimit.

Më herët gjatë ditë së djeshme është marrë në pyetje edhe Monika Kryemadhi. Disa javë më parë është pyetur edhe nëna e Monika Kryemadhit për të njëjtën dosje. Nga ana tjetër veprimet hetimore për këtë çështje kanë çuar edhe në një urdhër kontrolli në shtëpinë e nënës së Kryemadhit, ku janë sekuestruar sende dhe pajisje telefonike, materiale të cilat janë duke u hetuar nga SPAK.

A ka çështje të tjera ku Ilir Meta është subjekt hetimi nga kjo prokurori?

-Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta, por edhe bashkëshorten e tij Kryemadhi. Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Por deri më tani SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë për ish-presidentin Ilir Meta, por as Monika Kryemadhin, duke i pasur ata dhe ftuar pranë kësaj prokurorie si persona që kanë dijeni për rrethanat e këtyre hetimeve që po kryhen.  

Tv Klan