Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rojet e urës dhe pjesëtarë të policisë serbe që veprojnë në veri të Mitrovicës, pas kërcënimeve që u kanë bërë të hënën, pjesëtarë të shërbimit policor të Kosovës, i kanë detyruar këta të fundit, së bashku me policinë e UMNIK-ut, që të ngujohen në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, njoftojnë burime të kohës ditore.

Pjesëtarët e SHPK-së nuk kanë patrulluar të hënën në veri të qytetit, ndërsa sot ata vetëm kanë shëtitur me makina. Gjithmonë sipas këtyre burimeve, qeveria e Beogradit ka urdhëruar pjesëtarët e vetë në veri të Mitrovicës, që të kërcënojnë pjesëtarët e SHPK-së dhe të marrin aksione kundër tyre. Kërcënimet dhe ngujimin e SHPK-së në veri të Mitrovicës, e kanë konfirmuar dhe zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Mitrovicë, por kanë refuzuar se kriminelët i përkasin formacionit të rojës së urës.

Sipas zyrtarëve të policisë, qëllimet e këtyre njerëzve janë të tejdukshme dhe tendencioze, që popullatën ta kthejnë kundër pjesëtarëve të SHPK-së. Ndryshe në pjesën veriore të Mitrovicës, aktualisht po veprojnë 22 policë të shërbimit policor të Kosovës, që të gjithë pjesëtarë të minoritetit serb. Në fillim të këtij viti atje kishin filluar punë edhe 10 pjesëtarë shqiptar të SHPK-së, por pas 10 ditësh ata ishin tërhequr me urdhër të policisë ndërkombëtare./tvklan.al