Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar, si dhe krahu i saj ushtarak AKSH, kanë shprehur keqardhjen e tyre të madhe për humbjen e jetës së dy serbëve dhe plagosjen e 5 të tjerëve tre ditë më parë në Kastrat të Pejës. Në njoftimin e AKSH, u shprehen ngushëllimet e thella familjarëve të viktimave.

“Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar dhe krahu i saj ushtarak AKSH kanë qenë janë dhe do të mbeten struktura të përgjegjshme kundër akteve terroriste dhe çfarëdolloj krimi, aq më tepër kur ato drejtohen kundër popullsisë së pafajshme civile, pavarësisht se të cilës etni janë”, thuhet në këtë njoftim.

Gjithashtu më tej thuhet, se strukturat e specializuara të FKBSH dhe AKSH, janë të gatshme të bashkëpunojnë me organet kompetente të UMNIK-ut për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje tragjike. Ndërkohë situata në Kosovë ende mbetet e tensionuar. Një shpërthim tjetër ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të premtes në Mitrovicë, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Bomba shpërtheu në shtëpinë e një shqiptari duke e çuar në tre numrin e shpërthimeve në pjesën ku jetojnë popullsi shqiptare./tvklan.al