Çmimet në muajin Nëntor kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuar shtrenjtimin e shumë produkteve bazë, kryesisht ushqimeve, pijeve alkoolike si dhe kostove të transportit.

INSTAT njoftoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit, apo inflacioni, që mat ndryshimin e një shporte bazë mallrash u rrit me 3.1% në Nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlerë e cili ishte 1,6%. Kjo është rritja më e lartë në më shumë se një dekadë, që nga korriku i vitit 2011, kur inflacioni ishte në nivelin e 3.6%. Ndërsa në krahasim me muajin Tetor rritja e indeksit të çmimeve është 0,2 %.

Të gjitha grupet kanë shënuar rritje të çmimeve, por më i fortë ka qenë efekti i ushqimeve dhe pijeve, të cilat zënë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve të buxhetit të një familjeje, me rreth 42%, vlerë e cila është më e larta në rajon dhe Europë, vendet e tjera e kanë mesatarisht 13%.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,77 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,47 dhe më pas çmimet e  grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”.

Në krahasim me muajin Nëntor 2020, rritja më e madhe vërehet në grupin “Transporti” me 8,8 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,0 %, më pas renditet “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 % si dhe “Komunikimi” me 3,2 %. Për herë të parë në 10 vjet inflacioni ka tejkaluar objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, e cila pritet të ndikojë edhe në politikën monetare të këtij institucioni.

Klan News