Qyteti i Vlorës mbetet një prej destinacioneve më të njohura turistike në Shqipëri. Për të folur më shumë mbi zhvillimin e turizmit në këtë qytet dhe jo vetëm në një lidhje direkte në Klan News ishte kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha i cili u shpreh se në Vlorë përveç interesit nga turistët vihet re një shtim i interesit edhe nga investitorët sidomos ato në fushën e hotelerisë.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Dredha shprehet se ky vit ka qenë i kënaqshëm sa i përket sezonit turistik pavarësisht se u duk që ky vit nuk i arriti pritshmëriti.

Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: Vlora gjithmonë pritshmëritë i ka të larta duke qenë një destinacion i rëndësishëm në vendin tonë si dhe për shkak të shtrirjes që ka. Potencialet janë të larta jo vetëm për çfarë kemi, por edhe çfarë ofrojmë për të ardhmen. Duket se ka një interes të shtuar jo vetëm nga turistët, por edhe për ata që duan të investojnë në qytete sidomos në pjesën e hotelerisë. Shikojmë që ka kërkesa të shtuara. Do të ketë investime të tjera në vijim. Ka qenë shumë i kënaqshëm ky vit sado që u duk nëpër media që ky vit nuk ka qenë çfarë ne prisnim. Mos harroni që ne e quajmë shumë të rëndësishëm këtë vit, pasi mos harroni që ne kishim kampionatin Europian përpara dhe shumë njerëz kanë shkuar drejt Gjermanisë për të ndjekur ndeshjet dhe e kanë humbur diçka, por ne pamë që në Korrik hotelet kanë qenë plot dhe vazhdojnë të kenë punë akoma.

Ndërkohë sa i takon abuzimeve me çmimet, Dredha shprehet se duhet të tregohet kujdes ku thekson se gjithashtu ka pasur fryrje të këtyre çmimeve sidomos sa i takon pjesës së parkingjeve.

Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: Ka pasur një reagim pozitiv. Ndonjëherë duhet ta shikojmë biznesin në afatgjatë, aq më tepër që Vlora ka në projeksionet e veta që të bëhet një destinacion gjithëvjetor dhe për të qenë me atë logjikën që ne duam të ndërtojmë edhe pjesa e bizneseve duhet të jetë më i kujdesshëm te pjesa e çmimeve. Normalisht aty ku ka struktura që ja vlen të ketë çmime të larta ajo është pastaj një zgjidhje që bën vetë turisti, por në vijë të përgjithshme duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kemi parë një tendencë të fryrjes së çmimeve sa i përket parkingjeve kjo në fakt pasi Vlora nuk ka shumë hapësira në dispozicion për parkime. Jemi duke punuar për të krijuar hapësira të reja. Plazhet mbeten ajo sfida më e madhe sepse ngaqë është një përdorim afatshkurtër gjatë sezonit mundohen të potencojnë të ardhura që në fakt i bën dëm si komunitetit këtu, por edhe atyre që zgjedhin Vlorën.

Sipas kryebashkiakut pastrimi mbetet sfida kryesore edhe për Vlorën, si për çdo qytet tjetër turistik pasi përgjatë sezonit ka një rritje të madhe të numrit të banorëve dhe për rrjedhojë edhe të mbetjeve që krijohen.

Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: Sfida kryesore për një qytet turistik, por jo vetëm, por të paktën për Vlorën patjetër pastrimi mbetet sfida kryesore. Rritet ndjeshëm numri i banorëve gjatë sezonit, shkon gati katërfish apo mos më shumë. Shtohet edhe sasia e mbetjeve që prodhohen. Duhet të ndërtojmë një logjikë ndërgjegjësimi përmes banorëve dhe bizneseve që të jenë më të kujdesshëm sepse presim gjithçka nga bashkia, por çfarë mund të bëjë edhe bashkia kur nuk ka ndihmë nga komuniteti. Dua të jem i sinqertë me ju, por shohim që ka edhe pak abuzim sepse ndodh që i vendosin qeset ku të munden bizneset dhe i bijen shkurt, por mendoj që ne do të reagojmë, por në imazh cënon shumë qytetin sidomos për ata që vijnë për herë të parë. Jemi duke bashkëpunuar, janë shumë të mirë nuk diskutohet, por ka edhe raste abuzimi.

Gjithashtu nuk ngeli pa u përmendur edhe pjesa e menaxhimit të mbetjeve, një problem që u vendos më shumë në dukje pas zjarrit që shpërtheu në fushën e mbetjeve në Vlorë në mes të sezonit turistik. Kryetari i Bashkisë u shpreh se bashkia po mundohet që t’i japë zgjidhje edhe kësaj çështje ku si zgjidhje mendohet fusha e mbetjeve në Sherishtë ku është ndërtuar impianti i ri.

Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: Një problem që ne shohim që duhet të marrë rrugë është pjesa e menaxhimit të mbetjeve, pasi siç edhe ju e dini ka pasur një rast sa i përket edhe zjarrit. Kjo fushë në fakt ka 50 vjet që përdoret dhe zjarre ka pasur pothuajse çdo vit, por ky nuk është justifikim. Zjarret aty do jenë nëse ne nuk gjejmë një zgjidhje alternative. Jemi duke punuar ngushtësisht me të gjitha strukturat qëndrore.

-Cila mund të jetë zgjidhja?

Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: E kemi. Kemi fushën e mbetjeve në Sherishtë që është ndërtuar impianti i ri. Nuk është funksional, por zgjidhja e vetme kjo do të jetë. Jo më larg se dje unë kam qenë atje kam bërë një inspektim. Një qelizë e kemi bërë gati. Po shikojmë vetëm çështje proceduriale që ne ta vendosim në punë dhe presim një konfirmim nga supervizori i huaj që ndjek punimet atje që të paktën të mos hedhim më mbetje qoftë në Orikum apo te fusha e mbetjeve ekzistuese në Vlorë. Më vonë do të shikojmë edhe hapat e tjerë pasi ka disa ndërhyrje teknike aty që do të bëhen për të vendosur në punë edhe impiantin, por të paktën qeliza e parë për të hedhur mbetjet ështa gati sot që po flasim, thjeshtë është çështje kohe për ta vendosur në funksion. Jua thashë që një qelizë është gati dhe mund të shkojmë që sot të hedhim mbbetje aty, por na duhet të marrim konfirmim nga supervizori i huaj sepse në fund të ditës kjo është një kontratë e lidhur përmes KFW që e ka ndjekur të gjithë procesin nga fillimi në fund ndërkohë që Bashkia Vlorë ka qenë përfitues.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Dredha u ndal edhe tek dy probleme të tjera në qytetin e Vlorës, konkretisht transporti publik dhe uji i pijshëm, ku kryebashkiaku u shpreh se po punohet për gjetjen e një zgjidhje.  

/tvklan.al