Arrestimi i gazetarit kosovar Baton Haxhiu nga Gjykata e Hagës, është një veprim i papërgjegjshëm. Gazetari Blendi Fevziu, deklaron se në këtë rast është cenuar hapur liria e shtypit.

Blendi Fevziu: “Është skandaloze të mendosh që një gazetar ndodhet sot në bankën e të akuzuarve për arsye se ka bërë punën e tij, për arsye se ka publikuar  një çështje ose një story, siç i quante zakonisht Batoni me të gjithë elementet e saj. Padyshim sikurse e kam thënë dhe njëherë tjetër është çështje e gjykatës të ruaj mos ruaj identitetin e një dëshmitari, është çështje e gjykatës ta lejoj apo mos ta lejojë dëshmitarin të flasi, është çështje e gjykatës ta ruaj apo jo dosjen hetimore. Nuk është çështje e një gazetari ta publikoj apo jo, nuk mund t’ja lësh në dorë një gazetari ose nuk mund t’i kërkosh një gazetari të respektojë një punë të cilët duhet ta bëjë një gjykatë, ose një prokuror në këtë rast ai i Hagës”.

Arrestimi i Baton Haxhiut, mund të konsiderohet si një mesazh negativ për median e shtetit më të ri siç është Kosova.

Blendi Fevziu: “Shembulli më negativ që mund t’i jepet një medie të lirë në Kosovë kur i thuhet që ju, ose kur i hapet një proces për një gjë që çdo gazetar në çdo cep të globit, në çdo vend demokratik do ta bënte. Kshu që nuk besoj se ka një gjë më skandaloze dhe sa më shpejt që Gjykata e Hagës të vendosi në vend autoritetin e saj, do të ishte më mirë për të gjithë bashkë. Do të ishte më mirë për Gjykatën e Hagës, për besueshmërinë e saj, për statusin e saj, po do të ishte shumë më mirë për demokracinë e re në Kosovë, do të ishte mirë për mediat kosovare të cilat më në fund duhet të kuptojnë që, që të bësh media duhet të jesh në radhë të parë i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë dhe besoj që të dyja këto dimensione Baton Haxhiu i ka, i ka pasur besoj në nivelet më të larta të tyre”.

Pyetjes së drejtpërdrejtë. Nëse gazetari Haxhiu ka vepruar drejt në publikimin e emrit të një dëshmitari që gëzonte statusin e bashkëpunëtorit të akuzës në Gjykatën e Hagës, analisti Fevziu sjell në kujtesë atë që ish-kryeprokurorja e Hagës Carla Del Ponte, publikoji pak kohë më parë.

Blendi Fevziu: “Gjykata e Hagës e para ka dëshmuar në disa raste të tjera një arrogancë të pa lejueshme, një arrogancë që i ka çuar edhe tej mandatit që ajo ka. Ju kam përmendur njëherë rastin tjetër që ka kërkuar të hetojnë në Shqipëri kur mandati ose juridiksioni i Gjykatës së Hagës është vetëm për krimet në ish-Jugosllavi, pra ka kërkuar, ka ardhur dhe ka krijuar një vervelet të tërë me ngjarjet e Burrelit sipas Carla Del Pontes, që në fakt nuk kanë qenë çështje e gjykatës po kanë qenë çështje e kujtimeve të Carla Del Pontes, pra është shpërdoruar mandati i kësaj gjykate. Besoj Gjykata e Hagës po vepron në këto moment politikisht për të balancuar dënimin e kriminelëve serb të luftës, duke tentuar që po bën diçka dhe në anën shqiptare”.

Gazetari Baton Haxhiu, vazhdon të qëndrojë i paraburgosur për llogari të një akuze që Gjykata e Hagës ka ngritur ndaj tij prej ditësh./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani