Goro: Më duhet të përballem me një absurditet

Një ditë pasi u arrestua, nga qelia e paraburgimit, Jorgo Goro ka dhënë dorëheqjen nga Kryetari Bashkisë Himarë. Në letrën drejtuar Këshillit Bashkiak, Goro komenton situatën dhe akuzat me të cilat po përballet.

“Jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!”

Goro hedh akuza edhe ndaj partive minoritare që sipas tij kanë dirigjuar këtë situatë.

“Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.”

Në fund, shpreh keqardhjen që letrën po e shkruan nga qelia e paraburgimit.

“Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!”

Teksa të dy kryetarët ndodhen pas hekurave, drejtimi i Bashkisë Himarë do të mbetet te njëri prej dy nëkryetarëve socialistë. Një prej tyre pritet të zgjidhet me votë nga Këshilli Bashkiak, që mbledhjen e radhës e ka ditën e premte, në datë 29 mars. Blerina Balla ose Pervin Gjikuria pritet të votohen për të drejtuar Bashkinë e Himarës deri në zgjedhjet e reja. Socialistët kanë shumicën në Këshillin Bashkiak, 13anëtarë kundrejt 8 të opozitës. Me kalimin e kompetencave te një nëkryetar, i jepet zgjidhje përkohësisht ngërçit të krijuar në Bashkinë e Himarës, e cila që nga 14 maji i një viti më parë nuk gjeti qetësi.

Klan News