Po kërkohen koka turku, s’ka fakte”, kështu ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu sa i takon hetimeve që po kryhen për tragjedinë e Gërdecit. Ai theksoi për mediat para SPAK se ka 16 vite që “po i bëhet persekutim personal e familjar për qëllime politike”, për një ngjarje në të cilën nuk ka gisht.

Dorëheqjen e tij në vitin 2008 e cilëson si një akt moral në respekt të jetëve të humbura.

“Ishte një akt moral, por nuk mund të keqpërdoret për të krijuar një situatë ku patjetër duhet të ketë një kokë turku. Është provuar katërcipërisht se ministri nuk ka lidhje me shpërthimin dhe gjithë pasojat në Gërdec.”

Për akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria, shtoi se nuk është provuar asgjë deri më sot.

“Kam deklaruar që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në atë kohë, 3 ditë pas ngjarjes, përballë të gjitha autoriteteve se nëse gjenin një kontakt timin, të familjarëve apo stafit tim me ata që zhvillonin proces në Gërdec, do merrja të gjithë përgjegjësinë ligjore. Gjë që nuk është provuar.”

Edhe pse Mediu bëri kërkesë për një akt të ri ekspertimi, Prokuroria e Posaçme e refuzoi.

“Përfaqësues të KLSH-së dhe Auditit të Ministrisë së Financave, e kanë të ndaluar me ligj. S’kanë firmosur si ekspertë. KLSH dhe Auditi kanë bërë kontrolle në Ministrinë e Mbrotjejs dhe nuk kanë gjetur asnjë shkelje. Për çfarë më akuzon mua Prokuroria? Unë s’kam qenë inspektor tatimesh, s’kam qenë ndonjëherë inspektor mjedisi. Nëpërmjet ekspertëve të paligjshëm nuk llogarisin as procedura, as vendime të qeverisë apo përgjegjësi konkrete të një procedure që zgjati 16 muaj. Ministri ka lejuar vetëm kalim municionesh, nuk ka lidhur kontratë. E provuam me shkresa e fakte se ministri nuk kishte dijeni dhe as nuk e ka zgjedhur Gërdecin.”

Për përplasjet me familjarët e viktimave sot në sallën e gjyqit, ai u shpreh: E kuptoj dhimbjen, por deri në një pikë. Nuk kam fyer kënd, dhe është në rregullin normal mos të më fyejë kush. E cakton Gjykata kush është krimineli.

Po çfarë ndodhi në Gërdec sipas Mediut?

“Kam një video që tregon qartë se baruti nuk merr flakë prej saldimit. Djali i viktimës ka thënë se babai nuk ka qenë aty, nuk është salduar. Roja ka thënë se karroca ka hyrë 30 minuta para, ndërkohë nxehtësia e barutit mban dy minuta sipas ekspertëve amerikanë. Pse duhet një proces i falsifikuar?! Duan gjueti shtrigash dhe koka turku. Kjo çështje është gjykuar, kanë qenë 27 persona në procedim penal.“

I pyetur se kush po ia bën “gjyqin politik” që ai e pretendon, ish-ministri nuk dha përgjigjie konkrete.

E ka bërë politika! Nëse SPAK dhe Gjykata ka ardhur te bilancet e dënimeve politike, nuk mendoj se është drejtësi më.”

Nga shpërthimi i Gërdecit në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën 26 persona më 15 Mars 2008.

E.D/tvklan.al