Në ditët e fundit të merkatos së verës po zhvillohet një garë për sulmuesin e Napolit, Osimhen. Mediat italiane raportojnë se lojtari është në listën e Chelsea që është ende në kërkim të një sulmuesi të parë për trajnerin Maresca.

Futbollisti pëlqehet shumë dhe cilësitë e tij u interesojnë londinezëve, por ka një pengesë që e bën marrëveshjen të vështirë dhe komplekse. Bëhet fjalë për pagën e lartë dhe kërkesat e nigerianit duke pasur parasysh kontratën e re.

Osimhen fiton mbi 10 milionë në vit me Napolin, në një kontratë deri në vitin 2026. Një shifër që bie ndesh me tavanin e pagave në klubin e Premier League dhe që frenon çdo përpjekje të bluve. Ndërkaq nga kjo situatë kërkon të përfitojnë arabët e Al-Ahli.

Sauditët e bënë këtë me lëvizje konkrete të vërtetuara nga prania në Itali e një delegacioni nga klubi. Në tavolinën e bisedimeve ka një propozim kontraktual me shumë zero për sulmuesin e Napolit me mundësinë e një klauzole të madhe për shitjen e tij.

Nigeriani Victor James Osimhen në 29 dhjetor do të mbushë 26 vjeç. Që prej vitit 2020 tek Napoli, ai është shndërruar në një sulmues të rrezikshëm për skuadrat rivale. Në karrierën e tij në Serie A, ai ka luajtur 108 ndeshje, me 65 gola dhe 12 asiste.

Tv Klan