Zgjedhjet në bashkinë e Himarës nuk do të përsëriten. Pasi verifikuan për 3 ditë materialet zgjedhore, Komisionit te Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë ankimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pasi nuk arritën të provonin parregullsitë e pretenduara në procesin zgjedhor të 4 Gushtit.

Përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojme paraqiti gjetjet që opozita kishte për për zgjedhjet në Bashkinë e Himarës, por nuk provojë se ishin rreth 6 mijë qytetarët të cilëve iu mohua e drejta e votimit për shkak se kishin kartën e identitetit të skaduar.

Franc Nuri, përfaqësuesi ligjor i PD: Problemi më i madh i zgjedhjeve të 4 Gushtit në vlerësimin tonë ishte pamundësimi i votimit i mbi 26% të listës së zgjedhësve, konkretisht 6157 zgjedhës të regjistruar nga 23 mijë e 500 zgjedhës në total. Kjo vjen si rezultat i mosveprimit nga ana e institucioneve shtetërore.

Përfaqësuesi i PS theksoi se nga verifikimi i materialeve zgjedhore rezultoi se nuk ka patur parregullsi në procesin zgjedhor në Himarë.

Eridian Salianji, përfaqësuesi ligjor i PS: U pa nga hapja e të gjithë kutive të votimit që nuk kishte asnjë shkelje të ligjit. 0 shkelje! Nëse do kishte shkelje, do ishin këtu. Do i shënonin anëtarët e komisionit, asnjë shkelje s’ka.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkoi që zgjedhjet në Himarë të anuloheshin për shkak se rreth 6 mijë qytetarë nuk u lejuan të votoheshin për shkak të kartës së identitetit të skaduar, duke pretenduar se ishte e qëllimshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Por, nga verifikimet e materialeve, zyrtarisht rezultoi se vetëm rreth 169 qytetarë nuk mundën të votonin për shkak të kartës së identitetit të skaduar. Në zgjedhjet e 4 Gushtit për bashkinë e Himarës kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo fitoi me 1477 vota diferencë ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria.

Klan News