Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” klasifikimin e Komisionit Evropian të Udhëtimeve, ku Shqipëria renditet e para me 86% rritje të hyrjeve të turistëve. Sipas kryeministrit të vendit, Shqipëria turistike konfirmohet përsëri si një histori e bukur suksesi.

“Klasifikimi i Komisionit Europian të Udhëtimeve tregon mbi bazën e fluksit të hyrjeve në vendet e Evropës, rritjen ose rënien e prurjeve të turistëve në secilin nga vendet, ku Shqipëria turistike konfirmohet përsëri si një histori e bukur suksesi”.

Në raportin e Komisionit Evropian të Udhëtimeve thuhet se kushtet e favorshme klimaterike dhe kostot e ulëta të udhëtimit po bëhen faktorë të zgjerimit të turizmit në vende të pazbuluara siç është rasti i Shqipërisë.

Sipas raportit, vendi ynë përmendet si një ndër vendet që parashikohet të ketë një sezon të mirë veror me 86% më shumë vizita në krahasim me 2019-ën, duke lënë pas vende të rajonit si Mali i Zi apo Greqia.

KE thotë se Shqipëria është tërheqëse për turistët e huaj, teksa kohët e fundit është shfaqur një tendencë rritëse e vizitorëve aziatikë.

Tv Klan