Këshilli i ministrave të jashtëm dhe të Mbrojtjes së Bashkimit Europian është mbledhur për të diskutuar mbi çështjet e zhvillimit ekonomik, si dhe politikat e mbrojtjes dhe sigurisë lidhur me misionet në Ballkan, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Përfaqësuesi i presidencës sllovene Dimitrij Rupel, deklaroi se procesi i vendosjes së misionit të EULEX-it po ecte ngadalë, por sipas tij brenda kohës së duhur ky mision do të vendosej në të gjithë territorin në momentin kur kushtetuta e Kosovës të jetë në fuqi.

Bernard Kushner, vendi i të cilit merr presidencën e radhë të Bashkimit Europian u shpreh se në Kosovë nuk ka asnjë ndarje gjeografike. Veriu dhe jugu nuk duhen menaxhuar në mënyra të ndryshme qartësoi për mediat ministri i jashtëm francez. Ndërkohë që shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana u shpreh, se do të bisedonte me sekretarin e përgjithshëm Ban Ki Moon, por nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit UMNIK-EULEX në Kosovë për një periudhë të shkurtër madje duke shtuar se përcaktimi i kompetencave mes 2 misioneve do të kërkonte pak kohë.

EULEX parashikoi të niste plotësisht misionin e tij në 15 qershor, por drejtuesi francez Cermabon deklaroi se EULEX-i nuk mund të ishte tërësisht operacional për shkak të disa çështjeve teknike dhe politike duke lënë të nënkuptohej se bëhej fjalë për qëndrimet kundërshtuese të serbëve dhe ngurrimin e Kombeve të Bashkuara për të tërhequr trupat pas kësaj date nga Kosova.

Arta Tozaj: “Krahas punimeve të këshillit të ministrave evropian 2 komisionarët Oli Rehn dhe Zhak Baro kanë hapur zyrtarisht dialogun or liberalizimin e vizave me Bosnje-Hercegovinën. Plani udhërrëfyes për heqjen e regjimit të vizave Shengen, Shqipërisë do t’i dorëzohet në datën 3 korrik, një datë e shtyrë kjo për shkak të mbajtjes së këshillit të ministrave.”

Për herë të parë është paraqitur në selinë e Këshillit Europian, në pozicionin e ministrit të Jashtëm italian dhe Franco Fratini, ish-zëvendës presidenti i Komisionit Europian, i cili dha dorëheqjen zyrtarisht nga ky post në 8 maj për shkak të përfshirjes së tij në kabinetin Berlusconi. Fratini është komisionar në detyrë derisa parlamenti Evropian të pranojë komisionarin e ri italian Antoneto Taiani./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj