Këshilli i Rregullores ka përfunduar hartimin e amendamenteve për rregulloren parlamentare, duke përcaktuar procedurat e qarta për shqyrtimin e kandidaturave që vijnë për miratim ose dhe një pëlqimi në Kuvend nga institucionet e tjera. Në bazë të ndryshimeve të miratuara me konsensus nga anëtarë të Këshillit të Rregullores, parlamenti brenda 30 ditëve duhet të marrë në shqyrtim kandidaturat dhe të dalë në përfundim nëse ato përmbushin kriteret ligjore.

Anëtarë të Këshillit të Rregullores Neritan Ceka dhe Besnik Dervishi, pohuan se nëse këto kandidatura nuk i përmbushin kriteret, komisioni përkatës vë në dijeni kryetaren e Kuvendit, i cili njofton institucionin përkatës lidhur me këtë fakt.

Neritan Ceka: “Gjetëm zgjidhjen e cila siguron integritetin ligjorë të kandidatëve edhe nuk krijon konflikt. Derisa në Këshillin e Rregullores janë përfaqësuar në mënyrë të gjerë të dy forcat kryesore politike, natyrisht që do kalojë me konsensus”.

Besnik Dervishi: “Kemi përfunduar me nismën e një grupi deputetësh socialist që kanë të bëjnë me përcaktimin e procedurave në zbatim të nenit 177 të kushtetutës, kur kemi një nisëm për rishikimin e kushtetutës. Janë diskutuar gjithashtu dhe përmirësimet e nevojshme që erdhën si rezultat i ndryshimeve që u bë në kushtetutë disa muaj më parë, që kanë të bëjnë me nenet 87, 104 dhe 105 të kushtetutës”.

Debati për ndryshimin e rregullores parlamentare fillojë pak javë më parë pas përplasjeve institucionale mes Kuvendit dhe Presidencës lidhur me procedurat për shqyrtimin e 5 dekreteve të kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Klodian Keçi

Montazh: Vilma Halilaj