Në 7 Mars shkohet me dy raporte në Kuvend

Në 7 Mars mazhoranca dhe opozita do të shkojnë në parlament me dy raporte pas 4 muajve hetime lidhur me aferën e inceneratorëve. Në mbyllje të  mandatit të këtij komisioni, Kryetarja Jorida Tabaku tha se ndonëse shumë dokumente shtetërorë nuk u vunë në dispozicion, procedurat e ndjekura nga qeveria për inceneratorët ishin korruptive.

“U provua se kontratat ishin korruptive. Opozita zbuloi një nga aferat më të mëdha që nuk ka filluar dhe nuk mbaron me Lefter Kokën. Çdo ministër që ka dhënë para është përgjegjës.”

Por këto akuza të opozitës u hodhën poshtë nga socialistja Ermonela Felaj.

“Fjalën  e fundit do ta thotë kuvendi kur do të miratojë raportin apo raportet. Nisi me historinë e 430 milionëshit dhe shkoi si ajo historia e gjelit që bëhet gjysmagjel me 100 milionë Euro. Ky komision s’e ndau hetimin parlamentar nga një hetim penal.”

Tabaku e shfrytëzoi mbledhjen e fundit për t’i  drejtuar një thirrje disa prej zyratrëve mes të cilëve edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe kryebashkiakut të Tiranës për të sjellë informacionet që janë pjesë e hetimeve.

Sipas opozitës afera e inceneratorëve i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 430 milion Euro. Por këto akuza të demokratëve, Kryeministri Rama, i cili dëshmoi për afro 10 orë në komision i cilësoi sajesa, duke thënë se nga buxheti i shtetit janë paguar për ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve vetëm 55.3 milionë Euro.

Tv Klan