Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka pesë vjet që ka lënë Gjakovën dhe jeton në Tiranë. Naseri është një azilkërkues që ka ikur nga vendlindja fill pas lutës në Kosovë. Kthimin atje e mendon të largët, pasi i duhen shumë para për të ringritur shtëpinë. Në Shqipëri integrimi i tij bëhet nga UNHCR. Naserit i është gjetur strehë e që nga viti 1999 ai ka punuar me hope, kur ka gjetur punë sezonale.

UNHCR kujdeset tashmë për qiranë e shtëpisë së tij, me drita, ujë e mjekim falas. Por Naseri s’duket shumë i kënaqur nga jetesa në Shqipëri, dëshira e tij është Gjermania.

Naseri:- “Unë kam qejf të punojë të mbajë familjen si të gjithë dhe unë kam qejf ta gjejë një punë për të mbajtur familjen time siç duhet. Nuk mendoj se do të rrijë në Shqipëri, dua të iki diku jashtë, psh. në Gjermani ose ndonjë vend tjetër diku jashtë për të gjetur punë dhe të fitojmë më shumë atje”.

Integrimin në Shqipëri e ka nisur që nga martesa me një vajzë nga Elbasani.

Naseri:- “Nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mend se do të martohesha në Shqipëri, por ishte fati ashtu”.

Ai po trajnohet e po merr zanat për t’i bërë ballë tregut të punës. Ai monton pjesë hidraulike në apartamente të rinj, është profesion i vështirë pasi në Gjakovë ai shquhej për bletar, por UNHCR asiston për ti bërë të pavarur në marrjen e asistencës së jashtme. E vetmja që nuk mund të realizojë UNHCR është dërgimi i tyre në një vend të tretë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti