Lajme Arkiva – TV Klan 2003

I ftohti therës dhe kushtet e mjerueshme të Teatrit Kombëtar, kësaj here nuk kanë qenë të vetmet arsye që kanë lënë të pakënaqur publikun shqiptar dhe kritikët e artit në vendin tonë. Në sallën e këtij teatri është shfaqur premier nga regjisori Arben Kumbaro, drama e autorit anglez David Edgar “Rrëshajet”.

Dy ditë pas prezantimit të kësaj premiere, kritiku i njohur i teatrit shqiptar Josif Papagjoni e cilëson këtë shfaqje, si një pjesë e cila qëndron shumë pranë temperamentit të ballkanasve, por shumë larg elementëve të vërtetë, të një shfaqje të mirë teatrore. Sipas Papagjonit, nuk mund të pranohet një koment i stërzgjatur dhe një tekst i pafund, i cili nuk ka brenda tij elementët dramatik, për ta bërë një shfaqje të pranueshme dhe të ndjekur nga publiku.

Josif Papagjoni:- “Nuk mund të pranohet një koment i zgjatur, që në fund të fundit është në një pikëpamje edhe një koment thjesht kritik, ose analitik, ose estetik për veprën e artit dhe humbet anën e domosdoshme, dmth. humbet dramatikën, humbasin elementë të tillë, siç janë konflikti, siç janë ngjarjet, ose siç është vetë poetika e ndërtuar e kësaj drame. Kjo mund të quhet një dramë e diskutimit, por elementi dramatik duhet të jetë kryesor dhe ky për mendimin tim është defekti kryesor i tekstit dramatik, por unë gjykojë që edhe regjia duhet të kishte bërë shumë redaktime në këtë tekst, që mos ta lodhte vëmendjen e publikut me një diskutim pa fund”.

Megjithëse nuk kanë munguar edhe element pozitiv, në këtë shfaqje si skenografia, e cila ishte mjaft e mirë, loja e aktorëve sipas Papagjonit linte shumë për të dëshiruar.

Josif Papagjoni:- “Ky defekt të themi për mendimin tim pasohet rrjedhimisht dhe nga ndonjë mangësi në lojën e aktorëve, kur unë shoh, që vetë aktorët me intuitë e kuptojnë që drama ka pauza, xhepa, shtrirje të mëdha dhe atëherë kërkojnë t’i japin ritëm më shumë nga ç’duhet, kërkojnë t’i japin tension më shumë nga ç’duhet dhe mbeten shumë herë me tone të larta”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora