Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është promovuar sot dalja në qarkullim e librit “Aleksandër Moisiu” e autorit gjerman Rudiger Schaper. Vepra është një monografi e jetës së aktorit të madh me origjinë shqiptare.

Personalitete të kulturës, studiues dhe kritikë arti, kanë qenë të pranishëm në mjediset e hotel Adriatik në plazhin e Durrësit, ku shtëpia botuese “Dudaj” ka promovuar këtë libër. Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe presidenti i republikës Alfred Moisiu, një nga pasardhësit e gjakut të Moisinjve.

Aleksandër Moisiu lindi në Trieste të Italisë në vitin 1879, nga një baba shqiptar dhe një nënë italiane. Me interpretimin e gjigandëve të dramës botërore, me Shekspirin, Gëten, Tolstoin etj, Moisiu pushtoi skenat e kryeqyteteve të mëdha të botës. Ai zhvilloi mjaft turne që nga Moska e deri në SHBA dhe Brazil. Aleksandër Moisiu konsiderohet, si i fundit në plejadën e tragjedianëve gjigandë që shkëlqyen në artin skenik botëror.

Në promovimin e monografisë Rudiger Schaper, studiues të ndryshëm, si Josif Papagjoni, Vangjel Moisiu dhe Bardhyl Kosova, kanë olur mbi madhështinë artistike të Aleksandër Moisiut, por më tepër ata janë përqendruar tek domethënia e një figure të tillë, për historinë dhe figurën shqiptare.

Vetë autori i librit ka qenë i pranishëm në këtë promovim. Schaper duke folur mbi Moisiun ka thënë, se ai e kishte paraqitur atë, në tërë kontekstin e artit evropian./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora