Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në panairin e organizuar nga miqtë e Europës mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Shefi i qeverisë shqiptare duke përmbledhur fazat e integrimit europian, por edhe diskutimet e brendshme mbi funksionimin e institucioneve u shpreh me humor se NATO në këtë proces është më drejt, sepse nuk ka dëshmuar ende lodhje nga zgjerimi. 

Arta Tozaj: “Me gjithë rezultatin e traktatit të Lisbonës në Irlandë, politika e zgjerimit të Bashkimit Europian nuk është bllokuar. Qeveria shqiptare ka dy synime së pari të heqë regjimin e vizave Shengen dhe së dyti të aplikojë për statusin kandidat gjatë presidencës franceze.”

Sali Berisha: “Mendoj se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e thella në të gjithë sektorët dhe mbi bazën e negociatave që do zhvillojë me komisionin dhe vendet anëtare. Në momentin e duhur të paraqesë kandidaturën. Për Shqipërinë një gjë është shumë e rëndësishme është liberalizimi i vizave, heqja e vizave gjëja për të cilën po punojmë.”

Kryeministri Berisha pasqyroi gjithashtu situatën e sigurisë në Shqipëri dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai tregoi se shkurtimi i shpenzimeve administrative është reflektuar me dyfishim të buxhetit për armimin duke mbështetur kështu shqetësimin e europarlamentares Doris Pack se pa kërkim shkencor dhe edukim nuk ka përparim të vendit.

Pack tha, se zgjerimi është sfidë me dy kahe, jo vetëm vendet e Ballkanit duhet të luftojnë informalitetin dhe korrupsionin, por edhe BE duhet të përgatitet për impaktin që sjell zgjerimi në nivele të ndryshme politike dhe ekonomike.

Për kryeministrin e shtetit të ri Hashim Thaçi, integrimi i Serbisë në BE do të kishte efekt pozitiv në Kosovë.

Hashim Thaçi: “Serbët, qytetarët e Kosovës, ata janë shtetas të republikës së Kosovës dhe natyrisht se sa më afër Beogradi që të jetë në strukturat e Brukselit, serbët do të binden me realitetin e ri dhe Beogradi të largohet nga manipulimi e mëtutjeshëm në raport me ta dhe ata do të afrohen më tepër me Prishtinën”

Fqinjët maqedonas sollën shembull Greqinë në debatin për njohjen e ermit, për të treguar se ka 2 standarde politika e BE-së dhe se një vend anëtar mund të ngadalësojë ose bllokojë procesin e anëtarësimit të rajonit në BE./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj