Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO duket të ketë qenë kryefjala e takimit mes kryeministrit Sali Berisha dhe sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton. Një moment që u ka shërbyer dy personaliteteve të vlerësojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Kryetari i qeverisë ishte një ndër liderët e parë politik, që u prit nga zonja Clinton. Përmbajtja e takimit u zbardh gjatë një konference të përbashkët për shtyp mes zëvendës ndihmësit sekretarit amerikan të shtetit Stjuard Jones dhe kryeministrit Berisha.

Jones tha se kryeministri Berisha kish falënderuar zonjën Clinton për mbështetjen e SHBA-ve në përpjekjet integruese të vendit. Nga ana e saj zonja Clinton, u shpreh entuziaste për pranimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi situatën Afganistan.

Kryeministri Sali Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë për të dërguar edhe të tjerë trupa ushtarake në këtë rajon. Jones tha, se kryeministri shqiptar kishte ngritur në takim dhe çështjen e ligjit të lustracionit, duke e siguruar zonjën Clinton se nuk do të ketë gjueti shtrigash, do të ndiqen procedura kushtetuese dhe se qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces.

Zëvendës ndihmësi sekretari amerikan i shteti Stjurad Jones tha gjithashtu, se departamenti amerikan i shtetit, nuk bëri asnjë sugjerim lidhur me këtë çështje, por mirëpriti sugjerimet e kryeministrit Berisha.

Në fakt agjenda e takimit mes kryeministrit Sali Berisha dhe sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, u zbardh fillimisht në një konferencë për të ndihmës zëdhënësit të departamentit të shtetit Gordon Duguid. I pyetur nga gazetarët ai tha se çështja e marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimi në NATO, ishin parashikuar si tema në agjendën e takimit me dy personaliteteve.

Gazetari: “A mund të na jepni një ide mbi agjendën e takimit mes sekretares së shtetit dhe liderit shqiptar?A do të diskutohet dhe mbi spastrimin  nga administrata të ish-komunistëve?”

Gordon Duguid: “Ata do të flasin për çështje bilaterale, çështje të të drejtave të njeriut. Nuk e di nëse çështja e ligjit të lustracionit do të ngrihet në veçanti, por pika kryesore e diskutimit do të jetë përgatitja e anëtarësimit në NATO. Siç dhe e dini Shqipëria është një nga vendet që fitoi anëtarësimin në NATO, gjë të cilin SHBA-të janë dakord dhe ne e kemi ratifikuar pjesën tonë të marrëveshjes. Shumë aleatë kanë bërë të njëjtën gjë, pra ata do të flasin në pjesën më të madhe për NATO-n dhe çështje të marrëdhënieve dypalëshe.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi