Kryeministri Berisha prezantoi në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik buxhetin e vitit 2009, ku sërish investimet në infrastrukturë dhe punët publike do të jenë prioritet i qeverisë.

Sali Berisha: “Në këtë buxhet, i cili kap shifrën rreth 5 miliard dollarë dhe përbën buxhetin më të madh në historinë e vendit janë ruajtur të gjitha linjat programore të qeverisë, buxheti përqendrohet në investimet e mëdha publike, në akset e mëdha rrugore, pra sërish buxheti mbetet në masën e madhe buxhet i infrastrukturës, ku janë ujësjellësit, janë kanalizimet, impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, landfillet.”

I bindur ndaj votës pro të qytetarëve për një mandat të dytë dhe besimit të ndërkombëtarëve në ato që Berisha e cilësoi arritje të qeverisë së tij, kreu i ekzekutivit u shpreh se buxheti i vitit të ardhshëm garantin një stabilitet makro-ekonomik dhe rritjen e mëtejshme të këtyre treguesve.

Sali Berisha: “Është dhe buxheti i parë i mandatit të dytë të qeverisë në rast se qytetarët shqiptarë do ta votojnë, unë e shoh me shuam optimizëm besimin e madh të tyre dhe besimin në tërësi ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare.”

Konsolidimi i institucionit të drejtësisë dhe ruajtja e pavarësisë u cilësuan prioriteti i radhës së qeverisë Berisha së bashku me moton “luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar”.

Sali Berisha: “Drejtësia do ketë mbështetje të plotë në mënyrë që institucionet e këtij sistemi të konsolidojnë pavarësinë e tyre. Lufta kundër krimit të organizuar dhe konsolidimi i mbrojtjes së rendit është dhe kjo një objektiv madhor.”

Duke e cilësuar një buxhet që një përparësi të veçantë i jep pagave dhe pensioneve, Berisha garantoi e politikat për rritjen e tyre dhe përmirësimin e buxhetit familjar do të jenë sërish prioritet i qeverisë së tij ashtu si kundër kërkoi nga ministrja e Shëndetësisë dhe ai i Arsimit përafrimin e këtyre institucioneve sa më pranë modeleve perëndimore, por jashtë vëmendjes së kryeministrit nuk mbeti as ushtria, e cila do të përfitojë nga buxheti i shtetit 2% të fondeve duke ruajtur të njëjtët tregues sipas Berishës deri në vtin 2020 dhe në fund faturën prej 5 miliard dollarësh, kreu i ekzekutivit e kaloi në borderonë e ministrit Bode.

Sali Berisha: “Do të thoni ju, po për ministrinë e Financave, të gjitha këto që thashë i ka për detyrë ministria e Financave edhe kam bindje të plotë e ajo ministri do të përmbushë detyrimet e saj me sukses të madh me reformat që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr.”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Izmir Hajdari