Me një bilanc pozitiv pune të qeverisë në 7 muajt e fundit, kryeministri Berisha ka dalë para gazetarëve për t’i zbërthyer në shifra konkrete gjithçka është bërë. Ftesa për në NATO, pasuar nga firmosja e protokollit të anëtarësimit, nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave, ishin disa nga pikat e evidentuara në fjalimin e kryetarit të qeverisë.

Berisha tha, se në këto muaj u decentralizuan mbi 600 mijë Ha prona, pyje e kullota, 320 ujësjellës e kanalizime, u goditën rreth 69 grupe kriminale dhe u vendosën para ligjit 280 anëtarë të tyre. Ai tha se ARMO u privatizua me një çmim 13 herë më të lartë se katër vjet më parë.

U hoqën 103 leje dhe licenca në kuadrin e liberalizimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe kjo i dha një goditje të fortë këtij të fundit në fushën e lejeve dhe licencave. Këtë vit të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet, si rezultat i luftës kundër korrupsionit, janë rreth 1.2 milion dollarë më shumë se në vitin 2005.

Suksesi i luftës kundër korrupsionit bëri të mundur dërgimin në parlament të buxhetit suplementar në qershor të vitit 2008, prej 260 milion dollarësh. Ndonëse buxheti i vitit 2008, ishte parashikuar 19% më i madh se ai i vitit 2007. Buxheti i vitit 2008 prej 4.2 miliard dollarësh është buxheti më i madh në historinë e vendit, ai që i bën të mundur qeverisë shqiptare të ndërmarrë çdo projekt madhor në interesin publik të qytetarëve shqiptarë.

Investimet publike të vitit 2008, janë investimet më të mëdha në historinë e vendit. Ato vetëm në infrastrukturë nga jugu në veri të vendit arrin në 1.2 miliard dollarë apo 96 miliard lekë, kundrejt vetëm 11 miliard të tillave që kanë qenë në investimet e vitit 2004.

I pyetur nga gazetarët kryetari i qeverisë foli edhe mbi marrëdhëniet me opozitën, 7 muaj ishin periudha e bashkëpunimit, konsensusi u trazua në ligjin për titujt e pronësisë dhe atë të dosjeve.

Sali Berisha: “Po ka patur debate për ligjin e titujve, unë jam mahnitur, se pse opozita nuk e votoi ligjin. Opozita duhet të kishte vetëm një qëndrim për mendimin tim dhe po të isha, do të paraqiste ajo këtë ligj sepse opozita edhe në qoftë se ka një grup njerëzish me vete që kanë abuzuar, interesa i saj jetik është të çlirohet prej tyre, pse përdoret opozita.”

Prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike dhe kartave të ID, janë dy çështje për të cilat qeveria  angazhohet maksimalisht të përmbushë afatet. Një çështje që për shtetasit që votojnë do të marrë zgjidhje përpara zgjedhjeve parlamentare.

Sali Berisha: “Kontrata përcakton qartë detyrimin e kompanisë për ti prodhuar në kohën e duhur para zgjedhjeve. Një problem mbetet këtu që të jem i hapur dhe këtë do e diskutoj me opozitën. Për qytetarë të cilët nuk votojnë, me opozitën së bashku mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast, që të bëhemi  të gjithë edhe për shkak të lëvizjes edhe për shumë arsye të tjera. Kurse për ata që duan të votojnë absolutisht do ta kenë në xhep.”

Tashmë edhe zgjedhjet duhet të kenë një afat.

Sali Berisha: “Do i avancojmë, qeveria ime i avancon nuk i shtyn, i avancon. I qartë që mund të shtyhen nga korriku a gushti, por jo do i bëjmë në qershor.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi