Një dite përpara aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, Athina zyrtare deklarohet fort në mbështetje të aspiratës për integrim të vendit tonë.

Vizita zyrtare e kryeministrit Kostas Karamanlis theksoi jo vetëm aplikimin si moment te rëndësishëm, por dhe çështjen e liberalizimit te vizave. Takimi kokë më kokë mes kryetarit të qeverisë shqiptare dhe homologut Karamanlis dhe më pas ai i delegacioneve u zhvilluan nën një fryme miqësore falë bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha fushat sikundër vlerësuan të dy personalitet.  Përpara deklarimeve për shtyp pala shqiptare dhe ajo greke përfaqësuar nga ministrat e Jashtëm nënshkruan marrëveshjen për përcaktimin e vijës që ndan ujërat detare mes dy vendeve. Kryeministri Berisha do të ndalej fillimisht në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Sali Berisha: “I thashë mikut tim se përjetuam solidaritetin më të madh nga Greqia dhe të gjitha kombet e tjera mike pa të cilat progresi në NATO dhe Bashkimin Evropian do të ishte i pamundur. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe të shëndetshme. Nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur mes vendeve tona, ato janë zgjidhur falë shpirtit të bashkëpunimit. Kryeministri Karamanlis më siguroi se ai dhe qeveria e tij do të mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  E njoha atë me aplikimin nesër të Shqipërisë në BE, ftuar nga presidenca çeke. Dua te theksoj se Shqipëria do të plotësojë të gjitha standardet për zgjedhjet dhe ne mbetemi të angazhuar për këtë.”

 Kryeministri Karamanlis do të garantonte mbështetjen greke në drejtim të perspektives evropiane të Shqipërisë.

Kostas Karamanlis: “Greqia mbetet një fqinj i mirë, i besueshëm dhe një mbështetës i kauzës së Shqipërisë për integrim evropian. Ne jemi ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që e shohim tepër pozitivisht procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë sikurse është theksuar edhe në agjendën e samitit të Selanikut. Kemi ndjekur nga afër të gjithë progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar të gjitha standardet e nevojshme.”

Të paktën 1 miliard euro llogariten investimet greke në Shqipëri. Karamanlis garantoi për forcim të bashkëpunimit ekonomik edhe ne ardhmen. Marrëdhënie që i vlerësoi po aq pozitive sa dhe marrëdhëniet politike mes dy vendeve.

Kostas Karamanlis: “Do të inkurajime kërkesën e qeverise shqiptare për rritje të investimeve të ndërsjellat si dhe do të krijojmë më shumë lehtësira për investitorët  grek për të investuar në Shqipëri.”

Minoriteti grek u cilësua urë lidhëse mes dy vendeve tona. Kryeministri garantoi për respektim të të drejtave të tyre sikundër  është bërë deri tani.  Palët kanë diskutuar mbi çështjen e sigurimit për pension të emigrantëve shqiptarë, duke u lënë detyrë ministrive përkatëse të përcaktojnë detajet mbi një marrëveshje të mundshme në këtë drejtim./tvklan.al