Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vazhdojnë të shtohen rrugët me parametra bashkëkohore në të gjithë Shqipërinë. Pas shumë e shumë rrugësh e magjistraleve të ndërtuara gjatë këtyre viteve, autoritetet qeveritare tashmë kanë vënë në qendër të vëmendjes investime kolosale në rrugën e rivierës dhe ndërtimin e urës së Bunës.

Kjo gjë është bërë e ditur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rrugëve, ku merrte pjesë dhe kryeministri shqiptar Fatos Nano.

Kryeministri Fatos Nano:- “Sot do të shqyrtojmë vazhdimin e studimit dhe projektimit të aksit ura e Palasës-Qeparo-Sarandë, e ashtuquajtur rruga e rivierës sonë, që do të ndikojë patjetër në përshpejtimin e ritmeve të aktivizimit të potencialeve turistike të kësaj zone. Diametralisht në veri, po përgatitemi të fillojmë ndërtimin e urës së re të Bunës në Shkodër, që do ta lidhë këtë qytet, por dhe pjesën tjetër të Shqipërisë natyrisht me një nga republikat e unionit të ri Mali i Zi-Serbi, nëpërmjet kalimit kufitar të Murriqanit dhe Ulqinit, që është gjithashtu një zonë tjetër me potencial turistik dhe me efekt të sigurt në hapjen dhe integrimin e Shqipërisë me Europën Qëndrore nga veriu”.

Vetëm për ndërtimin e rrugës Palasë-Qeparo-Metoq, do të vihen në dispozicion 67 milion dollarë, ndërsa për ndërtimin e urës së Bunës, do të shpenzohen 3-5 milion dollarë. Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtuan dhe projektet më të realizuara./tvklan.al