Pas 25 vitesh në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos deklaron se është koha që ajo të drejtohet nga një shqiptar.

I pyetur nga gazetari i televizionit grek “Skai” nëse pasardhësi i tij do të jetë shqiptar, Janullatos u përgjigj:

“Po është e natyrshme dhe mëse e qartë, unë  jam aty prej  shumë vitesh. Dëgjoni… Ne grekët nuk kemi guximin ta vëmë veten në vendin e tjetrit. E imagjion dot? A do të kishim lejuar ne të kishim dikë nga Serbia apo Bullgaria që të na drejtonte kishën? Unë nuk  shkova aty për të krijuar një koloni po për të krijuar Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare”.

Në intervistën e tij, kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare ka folur edhe për përplasjet në Himarë në lidhje me prishjen e disa objekteve që i përkasin minoritarëve grekë. Janullatos ka deklaruar se çështjet e pronës në Shqipëri janë shumë komplekse, ndërsa sistemi i drejtësisë i zvarrit ato.

Kryepeshkopi Janullatos e kujton nisjen e misionit të tij në vendin tonë si ditën kur u përball me një vend shumë të varfër. Fjalët e para që ka mësuar kishin të bënin sigurisht me shërbesat fetare.

Burimi: Klan Plus