Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lirimi i Aleksandër Kuqos, i akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata italiane, për vrasje, trafik prostitucioni dhe mbajtje armësh luftarake a leje, pritet të sjellë ndëshkimin edhe të prokurorëve që kanë toleruar të pandehurin.

Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku priti në zyrë prokurorin e rrethit të Fierit Ilirian Muho dhe Aleksandër Tankun, të cilët sipas raportimit, të një grupi nga Ministria e Drejtësisë, kanë përgjegjësi për këtë rast. Në mbledhjen e këshillit të prokurorëve, që do të zhvillohet javën e ardhshme, ndaj dy përfaqësuesve të akuzës, pritet të merren masa disiplinore.

Një ditë më parë Ministria e Drejtësisë, reagoi me një deklaratë, lidhur me lirimin nga dhomat e paraburgimit në Fier të Aleksandër Kuqos. Ai është dënuar nga gjykata e Milanos me burgim të përjetshëm, për krime të rënda dhe u arrestua pak ditë më parë në Shqipëri.

Gjykata e Fierit ka thyer ligjin duke zvarritur vendosjen e masës së sigurisë ndaj Kuqos për dy muaj, ndërkohë që masa duhej të merrej brenda pak ditësh. Pas arrestimit të këtij personi, e njëjta gjykatë vendosi ta lërë atë të lirë, në bazë të një akt-ekspertize, sipas të cilit, Aleksandër Kuqo ishte i papërgjegjshëm.

Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar mbledhje urgjente të KLD, për të shqyrtuar masa disiplinore ndaj gjyqtarëve të çështjes, përgjegjës janë gjetur edhe ekspertët ligjorë, që kanë hartuar aktin e ekspertimit për të pandehurin. Fillimisht gjykata e Fierit e kishte njohur vendimin e gjykatës italiane, për dënimi e Aleksandër Kuqos dhe konvertoi atë nga burg i përjetshëm në 21 vjet burg./tvklan.al